AKTUALITET, 15 Tetor 2024, 17:55

Gjykata e Lartë refuzon pezullimin e dënimit për Salianjin, PD: Përndjekje e opozitës!

Gjykata e Lartë refuzon pezullimin e dënimit për Salianjin, PD:

Pasi Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e ish-deputetit demokrat Ervin Salianji për pezullimin e dënimit me burg, vjen reagimi nga Partia Demokratike. Sekretari për çështjet ligjore në PD, Ivi Kaso në një deklaratë për mediat e quajti vendimin e Gjykatës së Lartë si një ridënim për Saliajnin.

Ndër të tjera Kaso tha se “Mbajtja në burg e nënkryetarit të grupit parlamentar demokrat është një medalje për të dhe opozitarët, dhe një njollë turpi për qeverinë dhe gjykatat e saj, të cilat e kanë kthyer përndjekjen e eksponentëve të opozitës në gjueti shtrigash.”

“Partia Demokratike e konsideron si ridënim të deputetit demokrat Ervin Salianji vendimin e Gjykatës së Lartë të marrë sot me presion. Kundër një vendimi të paligjshëm dhe politikisht të motivuar, trupa e Gjykatës së Lartë, as u ngrit në lartësinë e detyrës dhe as nuk i shërbeu balancave ndërmjet pushteteve.  Mbajtja në burg e nënkryetarit të grupit parlamentar demokrat është një medalje për të dhe opozitarët, dhe një njollë turpi për qeverinë dhe gjykatat e saj, të cilat e kanë kthyer përndjekjen e eksponentëve të opozitës në gjueti shtrigash.

Partia Demokratike shpreh edhe njëherë mbështetjen për deputetin e saj dhe për cdo zë opozitar që ngrihet kundër regjimit. PD thekson se nuk ka paqe pa lirimin e të gjithë opozitarëve të mbajtur padrejtësisht në izolim ose në qeli.”, tha Kaso.