AKTUALITET, 25 Tetor 2023, 14:31

Gazetarja interviston në mënyrë skandaloze viktimën e përdhunimit: Pse ke thënë se je abuzuar, kur nuk mban mend?!

Gazetarja interviston në mënyrë skandaloze viktimën e

Gazetarja e një prej programeve më terrorizues në vendin tonë, "Me Zemër të Hapur", që hyn në të gjithë qelizat e jetës së subjekteve që marrin pjesë në program, zakonisht me subjekte si vjehrri, vjehrra, kunati, gruaja e kunatit, etj, etj, ka relizuar një intervistë skandaloze me 26 vjeçaren nga Vlora, e cila dyshohet se është viktimë e përdhunimit në grup. 

Gazetarja e pyet viktimën, se a kishte ajo njohuri që një nga djemtë e dyshuar për përdhunim, ishte burrë i martuar dhe me fëmijë, pyetje kjo që nuk ka asnjë rëndësi për ngjarjen që ka ndodhur, por vetëm tenton të denigrojë viktimën. Përgjigja e kësaj pyetje, nuk do t'i shtonte asgjë ngjarjes, por dukshëm edhe nga përgjigja, e vë viktimën në pozicionin që duhet të shpjegojë se përse ka qenë me një person të martuar. 

Gazetarja: Ti e dije që O… është i martuar dhe ka një fëmijë?

Gazetarja: Nuk kishit pyetur ndonjëherë se a ishte i martuar, i fejuar apo me fëmijë?

Më pas vjen pjesa akoma më skandaloze e intervistës, ku gazetarja e pyet viktimën, se nga mund ta dijë ajo që është abuzuar, pasi nuk mban mend gjë.
Është e paimagjinueshme, se si një punojëse në media, nuk e kupton që një person i droguar dhe pa ndjenja nuk mund të japë pëlqimin për kryerjen e marrëdhënieve seksuale, pra nëse autorët e dyshuar kanë kryer marrëdhënie seksuale me një person të droguar dhe pa ndjenja, fakt i cili mund të vërtetohet nga mjekët, ky është një përdhunim. 

Gazetarja: Do të thotë ti nuk je në dijeni dhe nuk mban mend nëse je abuzuar seksualisht apo jo?

Gazetarja: Po pse ke thënë që je abuzuar, ku je gjendur ti?

Gazetarja: Pra ti je e pasigurt nese je abuzuar seksualisht apo jo?

Gazetarja: Nga deshmia që ti ke dhënë thuhet se je abuzuar seksualisht, nderkohe që je shume e pabindur nese eshte e vertete apo jo qe kane abuzuar me ty?

Intervistimi i viktimave të abuzimit, duhet të marrë parasysh traumën që kalon viktima, pasi i duhet të jetojë sërish abuzimin dhe ta trajtojë atë në mënyrë të tillë, që evitojë riviktimizimin e personit. Intervistuesi duhet të respektojë kufijtë dhe të mos e përdorë platformën që ka për sensacion dhe scoop, por për t'i shërbyer viktimës dhe opinionit publik. 

Ndërkohë, ndryshe nga sa u raportua në media, 26 vjeçarja deklaron se nuk e ka tërhequr kallëzimin e saj dhe se është kërcënuar nga familjarë të autorëve të dyshuar për të ndryshuar dëshminë.