AKTUALITET, 12 Shtator 2022, 21:58

"Flisni për Ramën por jo për elitën që e mban në pushtet"/ Sejamini debat me Metën: Nuk prekni thelbin e sistemit!

"Flisni për Ramën por jo për elitën që e mban
Ilir Meta dhe Neritan Sejamini

Ilir Meta ka qenë i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, ku u fol edhe për përplasjen e fundit që pati Rama me pronarin e News24, të cilin Meta e mbrojti duke deklaruar se po sulmohej media e lirë. 

Analisti Neritan Sejamini debatoi me kreun e PL, duke i thënë se nuk po godet elitën që mban Ramën në pushtet dhe se fokusimi vetëm te Rama është joproduktiv. 

Pjesë nga biseda: 

Neritan Sejamini: Imagjinoni sikur të gjithë mediat të hetojnë dhe denoncojnë keqqeverisjen. Sa reziston kjo qeveri mendoni ju? Bie direkt për pak muaj. Nëse Rama qëndron në pushtet, ne flasim për këtë problem por pushteti i Ramës është në bashkëpunim me një elitë të caktuar. Fokusi vetëm te Rama, pa prekur thelbin e këtij sistemi….

Ilir Meta: Përpjekja për të spostuar debatin nga përgjegjësi kryesor i katastrofës, me situatën ekonomike, sociale, që është Rama, kërkon ti japë kohë më shumë Edi Ramës.

Neritan Sejamini: Si po spostohet vëmendja?

Ilir Meta: Përgjegjësia kryesore është Edi Rama. Mbrojtësi i krimit është Edi Rama. Shumica e personave në kërkim ishin dekonspiruar sepse janë miqtë e Edi Ramës.

Neritan Sejamini: Regjimi bazohet tek një elitë e caktuar. Rama korrupton gjithë elitën. Rama nuk e mban dot pushtetin as 24 orë nëse media bën punën e vetë.

Ilir Meta: Nëse ne bëjmë punën tonë, reflektohet.

Neritan Sejamini: Përpjekja për të folur për Ramën dhe jo për këtë sistem, është përpjekje jo produktive. Nëse elita që është rreth zotit Rama, nuk ndihet e rrezikuar, do ta mbështesin atë gjithë kohën. E vetmja mundësi është që elita që e mbështet, të kuptojë që duke mbështetur Ramën, është e rrezikuar. 

Ilir Meta: Ky është spekulim. Ore këto pallate që po jepen, na i kanë kërkuar edhe ne por nuk po jepen. 

*Emisionin e plotë mund ta ndiqni duke klikuar këtu