AKTUALITET, 2 Qershor 2025, 17:36

Flakët u riaktivizuan në Darëzezë, Ministria e Mbrojtjes dërgon helikopterin Cougar të Forcës Ajrore për shuarjen e zjarrit

Flakët u riaktivizuan në Darëzezë, Ministria e Mbrojtjes

Sot në mesditë, në fshatin Darëzezë e Re, njësia administrative Dërmenas, bashkia Fier, është riaktivizuar vatra e zjarrit e fikur një ditë më parë në pyllin e Darëzezës.

Në vendngjarje ndodhen 7 automjete zjarrfikëse me 40 efektivë të MZSH, një buldozer dhe një fadromë, por për shkak të terrenit ranor dhe përmasave të mëdha që ka marrë zjarri, situata në ekonominë pyjore të Darëzezës nuk është vënë ende nën kontroll.

Rreth orës 14:00, vatra e zjarrit është përhapur më tej dhe është bërë e pamundur ndërhyrja me mjete zjarrfikëse. Në koordinim me Qendrës së Bashkuar Operacionale (QBO), është nisur në mbështetje helikopteri tip Cougar i Forcës Ajrore për ndërhyrje nga ajri.

Sipërfaqja e përfshirë nga flakët është rreth 10 hektarë, ndërsa era po favorizon avancimin e zjarrit në pjesën veriore të pyllit.