AKTUALITET, 2 Qershor 2025, 15:03

Plagosja e 15-vjeçarit në piceri, si u tentua të fshihej ngjarja! Kushërira: Ishte plumb qorr

Plagosja e 15-vjeçarit në piceri, si u tentua të fshihej

Policia e Tiranës zbardhi ngjarjen e ndodhur një ditë më parë, 1 qershor në një piceri në zonën e “Ali Demit” në Tiranë. Një 15-vjeçar mbeti i plagosur me armë, ndërsa policia shpalli në kërkim autorin e dyshuar të plagosjes Aldi Neziri 21 vjeç dhe administratorin e picerisë, Leonardo Mejdani 24 vjeç.

Gjithashtu u arrestuan tre punonjësit e picerisë, Ferit Basha, 20 vjeç, Andi Hyka, 29 vjeç dhe Keivin Bala 20 vjeç. Ata akuzohen se kanë pastruar vendin e ngjarjes dhe kanë hequr DVR-në e kamerës së sigurisë në piceri. Grupi hetimor ka mundur të administrojë pamjet e kamerave të sigurisë së picerisë ku ndodhi ngjarja.

Sipas burimeve të policisë, në tavolinë kanë qenë të ulur 3 persona, i mituri me kushëririn e tij dhe autori i plagosjes. Ngjarja ka ndodhur padashje, pasi autori ka nxjerrë armën atipike (e cila nuk konsiderohet armë zjarri e mirëfilltë, por e modifikuar), dhe ka shkrehur gabimisht, plumbi i së cilës e ka kapur të miturin në qafë.

15-vjeçari kishte rreth 2 javë që ishte punësuar në piceri, pasi ishte piceri e kushëririt e tij dhe kishte nisur punë për ta ndihmuar. Ndërkohë, nuk rezulton të ketë qenë i siguruar apo brenda rregullave të ligjit të punës për shkak të moshës. Hetuesit do të kërkojnë informacion te institucionet e tjera për të sqaruar situatën ligjore të punësimit.

I mituri, i marrë në pyetje nga hetuesit nuk është treguar bashkëpunues. Një vajzë e mitur, kushërirë e 15-vjaçarit po ashtu është marrë në hetim në gjendje të lirë për moskallëzim krimi. Ajo u ka thënë hetuesve ngjarja ka ndodhur jashtë lokalit dhe plumbi ka ardhur nga lart, pra plumb qorr. Por pasi hetuesit janë konsultuar me bluzat e bardha, këndi i plumbit në qafë nuk ishte nga lart poshtë, por drejt. Në këtë pikë hetimi ka marrë rrjedhë tjetër dhe u zbulua e gjitha tentativa për ta fshehur ngjarjen. Arma atipike që u përdor nuk është gjetur.