AKTUALITET, 13 Dhjetor 2025, 20:34

Aksidenti tragjik që i mori jetën para kohe dy shqiptareve, Spiropali: Shtyhet Samiti i 6-të i Gruas në Diasporë në nderim të Elisabeta Katiajt

Aksidenti tragjik që i mori jetën para kohe dy shqiptareve, Spiropali:

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka shprehur dhimbjen për ndarjen e parakohshme nga jeta të Elisabeta Katiajt dhe Eorda Sinollarit.

Ajo i ka cilësuar ato si dy gra plot dritë dhe energji, që i kushtuan kohën dhe talentin e tyre Shqipërisë dhe diasporës shqiptare.

Ministrja bën të ditur se, në shenjë nderimi dhe respekti për figurën dhe kontributin e Elisabeta Katijajt, Samiti i 6-të i Gruas në Diasporë, që pritej të mbahej në Parma, do të shtyhet për një kohë tjetër.

Ato humbën jetën pasi makina u përplas me kamion në autostradën “Ibrahim Rugova”. Të dy gratë shqiptare, ndodheshin në të njëjtën makinë, teksa njëra prej tyre ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa tjetra në spital.

Aksidenti tragjik që i mori jetën para kohe dy shqiptareve, Spiropali:

Mesazhi i plotë:

Thellësisht e prekur nga lajmi i rëndë për ndarjen e parakohshme nga jeta të Elisabeta Katiajt dhe Eorda Sinollarit.

Dy gra plot dritë dhe energji, që ia kushtuan kohën dhe talentin e tyre Shqipërisë dhe diasporës shqiptare. Elisabeta, një forcë e vërtetë e komunitetit të biznesit, dhe Eorda, një profesioniste e re, e cila sillte dije dhe frymë të re përmes Programit Brain Gain të GIZ-it.

Me Elisabetën, pas pak ditësh, do të ishim së bashku në Parma, në Samitin e 6-të të Gruas në Diasporë, por fatkeqësisht largimi i saj i beftë dhe i parakohshëm nuk na e la këtë mundësi.

Në shenjë nderimi dhe respekti për figurën dhe kontributin e Elisabetës, Samiti i 6-të i Gruas në Diasporë do të shtyhet për një kohë tjetër.

Në këtë moment të thellë dhimbjeje, shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera dhe jam pranë fëmijëve në moshë të njomë, familjarëve, miqve dhe të gjithë atyre që i njohën dhe i çmuan.

I lehtë dheu!