AKTUALITET, 2 Nëntor 2022, 09:20

Endrit Shabani i përgjigjet Belind Këlliçit: Buçko ka mbetur si në shkollë të mesme, e ëma na bënte presion që të mos futeshim në garë

Endrit Shabani i përgjigjet Belind Këlliçit: Buçko ka
Belind Këlliçi dhe Endrit Shabani

Endrit Shabani, reagoi mbrëmë vonë, për cilësimin nga Belind Këlliçi “partiçka” të partisë “Nisma Thurje”. Kandidati për garën e primareve në PD për bashkinë e Tiranës, ndërsa ishte të hënën në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit, lajmin për futjen në garë për Tiranën të partisë "Nisma Thurje", të drejtuar nga Endri Shabani, e komentoi se nuk i shërben përpjekjes së opozitës për të mundur Erion Veliajn.

“Lajmi i fundit nga shoqëria civile, Nisma Thurje ka deklaruar se do të nxjerrë kandidat. Njërin nga këta e kisha në studio, më tha po kandidove ti, jam me ty. Kemi një kundërshtar të fortë përballë. Nga ana tjetër dalin partiçka…”-deklaroi Këlliçi në emisionin “Të Paekspozuarit” (LEXO KËTU).

Shabani kujtoi me sarkazëm një episod nga shkolla e mesme, kur ka qenë bashkë me Këlliçin që atëherë paska qenë “buçko” ndaj dhe mezi vraponte, ndërsa thotë se e ëma vinte në shkollë duke u bërë presion vrapuesve të shpejtë që të tërhiqeshin nga gara, që të fitonte i biri.

Reagimi i Shabanit

Kur isha në shkollë të mesme, herë pas here organizonim gara vrapi. Një herë në garë u regjistrua një buçko, të cilin e ëma donte ta nxirrte me zor të parin, por ai i shkreti mezi i hidhte këmbët.

Nga frika se i biri nuk e fitonte dot garën, e ëma vinte nëpër shkollë dhe i bënte presion çdo nxënësi që vraponte shpejt, duke i thënë që të mos futej në garë.

E kisha harruar këtë rast, por mu kujtua kur e pashë që ishte rritur dhe i ishte futur politikës. Buçko kishte mbetur ende. Me sa duket disa njerëzve nuk iu ikën asnjëherë frika nga gara.