TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Makina që shihni në foton e mësipërme është automjeti tip Toyota Yaris, që dyshohet se u përdor nga autorët e atentatit në afërsi të Rinasit, ku u ekzekutua Gilmando Dani dhe u plagos rëndë Muçi Shaljani. Siç shihet edhe në pamje, automjeti është gjetur plotësisht i shkrumbuar në një zonë të pyllëzuar në fshatin Halil të Krujës, aty ku autorët dyshohet se e kanë djegur për të zhdukur gjurmët.
Policia, nëpërmjet një njoftimi zyrtar, ka bërë me dije se gjatë kontrollit në mjet janë gjetur katër armë zjarri, të cilat janë sekuestruar si prova materiale. Grupi hetimor po kryen ekspertizat për të përcaktuar nëse armët e gjetura janë përdorur në atentatin ndaj Danit dhe Shaljanit, ndërsa vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.
“Krujë/Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të zonës, në fshatin Halil, kanë konstatuar duke u djegur një automjet tip “Toyota”, që dyshohet se është përdorur nga autorët e ngjarjes së ndodhur në Rinas.
Në automjet janë konstatuar 4 armë zjarri që dyshohet se janë përdorur në këtë ngjarje. Armët do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore. Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve”, njofton policia.
Nga të shtënat në atentatin e sotëm në rrethrotullimin e Rinasit, plumbat kanë depërtuar edhe tek xhamat e një hoteli pranë vendngjarjes, siç shihet edhe në pamjet e siguruara. Gilmando Dani, 47 vjeç, u vra pak minuta pasi mbërriti në Shqipëri nga Barcelona.
Burime për mediat bëjnë me dije se Dani ishte pritur në aeroportin e Rinasit nga Muçi Shaljani, i njohur si “Sheqeri”, 40 vjeç, i cili kishte për detyrë ta shoqëronte me automjet.
Pak metra pas largimit nga aeroporti, dyshohet se autorët i kanë zënë në pritë dhe kanë hapur zjarr me breshëri plumbash ndaj automjetit, duke shkaktuar vdekjen e Danit dhe plagosjen kritike të Shaljanit, i cili ndodhet aktualisht në spital nën kujdesin e mjekëve.