AKTUALITET, 26 Janar 2026, 09:31

'Ekzekutoi' 11 grabitje, 7 prej tyre duke përdorur pistoletë lodër, pranga 30-vjeçarit në Tiranë! Dogji edhe një automjet e kanosi me fjalë ish-vjehrrën

'Ekzekutoi' 11 grabitje, 7 prej tyre duke përdorur pistoletë

Një 30-vjeçar është arrestuar në Tiranë në kuadër të operacionit policor të koduar “Koordinimi.

E.Nikolli, alias E.Lleshi  ka kryer vjedhje në një karburant, në një market, si dha ka grabitur 4 taksistë, ku ka përdorur një pistoletë lodër.

Ai ka vjedhur edhe në katër raste, në markete e banesa. Ndërkaq, Nikolli dyshohet se ka djegur pjesërisht një automjet në Tiranë dhe ka kanosur me fjalë ish-vjehrrën e tij.

Në momentin e arrestimit nga policia, Nikolli ka qenë i shoqëruar nga 42-vjeçari, në banesën e të cilit janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, armë gjahu, fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe aparat celular.

Policia është vënë në ndjekje të 42-vjeçarit.

Njoftimi i policisë

Lezhë

Finalizohet faza e dytë e operacionit policor të koduar “Koordinimi”.

Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i një serie vjedhjesh nën kërcënimin e armës.

Gjatë vitit 2025 dhe janarit të këtij viti, 30-vjeçari dyshohet se ka kryer 11 vjedhje, ndër to 7 nën kërcënimin e armës.

Gjithashtu, 30-vjeçari dyshohet se ka djegur pjesërisht një automjet në Tiranë dhe ka kanosur me fjalë ish-vjehrrën e tij.

Në vijim të operacionit policor të koduar “Koordinimi”, hetimeve të thelluara për zbardhjen e një sërë vjedhjesh të ndodhura përgjatë vitit 2025 dhe janarit 2026, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, Komisariatit të Policisë Lezhë, Komisariatit të Policisë Mirditë dhe Seksioni i Mbështetjes Operacionale i DVP Lezhë kanë organizuar dhe finalizuar fazën e dytë të operacionit “Koordinimi”.

Si rezultat i fazës së dytë të operacionit, në bashkëpunim me DVP Tiranë, u bë e mundur kapja në Tiranë e shtetasit E. N., alias E. Ll., 30 vjeç, banues në Mamurras, i dyshuar për veprat penale “Vjedhja me armë”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kanosja”, si autor i 11 vjedhjeve (dy karburanteve, një dyqani dhe 4 taksistëve nën kërcënimin e armës, ku dyshohet se ka përdorur një pistoletë lodër, si dhe ka kryer edhe 4 vjedhje të tjera, në markete e banesa).

Në momentin e ndalimit, 30-vjeçari ka qenë në shoqërinë e shtetasit G. D., 42 vjeç, lindur në Mamurras dhe banues në Tiranë, ku gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, armë gjahu, fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe aparat celular.

42-vjeçari u procedua penalisht për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të gjahut” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”.

Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit A. L., i dyshuar si bashkëpunëtor i 30-vjeçarit.

Identifikimi i autorëve u bë gjatë fazës së parë të këtij operacioni, të zhvilluar në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës.

Ndërkohë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet e thelluara për zbardhjen e rasteve të tjera të vjedhjeve të ndodhura më parë, që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme.