AKTUALITET, 9 Tetor 2025, 09:47

Ekzekutimi i gjyqtarit Kalaja, lihen në burg autori, xhaxhai i tij e roja e sigurisë

Ekzekutimi i gjyqtarit Kalaja, lihen në burg autori, xhaxhai i tij e roja e

Gjykata Penale e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë për tre të arrestuar në lidhje me vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, në krye të detyrës tre ditë më parë.

Elvis Shkambi, Gjon Shkambi dhe Banunsh Koxhaj janë lënë në masën e sigurisë ‘arrest në burg’. Seanca u zhvillua sot nga gjyqtarja Marinela Osmani.

Elvis dhe Gjon Shkambi kërkuan falje publike familjes së gjyqtarit Kalaja, ndërsa dëshmuan se ngjarja ka ardhur si shkak i tronditjes së lartë psikike për shkak të kalvarit të gjatë të gjyqeve.

Ata kishin pretendime për gjykatën pasi nuk e kanë zgjidhur siç duhet çështjen e pronësisë. Ndërsa punonjësi i sigurisë dëshmoi se ka qenë i sëmurë dhe se ka lajmëruar kancelaren se nuk ndihet mirë.

“Kam qenë i sëmurë para se të kalonin palët në skaner. Unë kam lajmëruare dhe kancelaren se nuk ndihesha mirë, pasi vuaj nga diabeti.

Një orë me pas kancelaria më ka dhënë leje për t’u larguar, por nuk jam zëvendësuar”, ka dëshmuar Banush Koxhaj.

Elvis Shkambi, 30 vjeç, Autori i vrasjes së gjyqtarit dhe plagosjes së Rakip dhe Ervis Kurtajt, babë e bir, përballet me tre akuza: vrasje e funksionarëve publikë, vrasje në rrethana të tjera cilësuese kundër palëve të përfshira kryer në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë, si dhe mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve.

Për sa i përket Gjon Shkambit, prokuroria ka ndryshuar kualifikimin fillestar të veprës penale që i referoi policia, e cila e akuzonte edhe atë për vrasjen e gjyqtarit. Organi i akuzës dyshon se Gjoni kishte dijeni vetëm planin e nipit të tij ndaj palës kundërshtare në gjyq. Madje Prokuroria thekson se ka dyshime që Gjon Shkambi ka pasur rolin e nxitësit në tentativën për të vrarë babë e bir, të cilët jetojnë në pronën e pretenduar prej tij në Shkodër.

Organi i akuzës mbështet dyshimet e tij në deklaratat kërcënuese që 56-vjeçari ka bërë më herët në media, ku ka folur hapur për hakmarrje ndaj personave që ai i konsideronte si uzurpues të pronës. Madje, sipas hetuesve, edhe vetë familjarë të tij kanë paraqitur kallëzime në polici për kanosjet e vazhdueshme.

Ndërkohë, punonjësi i sigurisë, Banush Koxhaj, akuzohet për shpërdorim detyre. Sipas prokurorisë, ai nuk ka reaguar edhe pse detektorët sinjalizuan praninë e metaleve gjatë hyrjes së Elvis dhe Gjon Shkambit në ambientet e gjykatës. Ai nuk ka kryer kontroll fizik ndaj tyre dhe as nuk ka bërë regjistrimin në librin e protokollit, ashtu siç është detyrim për çdo qytetar që hyn dhe del në institucion.