AKTUALITET, 16 Shkurt 2026, 15:45

Ekspozita historike e BSH në Prishtinë, Sejko: Vizioni ynë, rruga drejt BE! Integrimi në SEPA, shembull se si “tregimi i parasë” vazhdon të shkruhet

Ekspozita historike e BSH në Prishtinë, Sejko: Vizioni ynë, rruga

Në ambientet e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në Prishtinë, u çel sot, ekspozita historike e Bankës së Shqipërisë “Paraja rrëfen: 100 vjet jetë dhe ngjarje, Banka e Shqipërisë (1925-2025)”, një nismë kulturore dhe edukuese që sjell për publikun historinë e parasë shqiptare dhe të bankës qendrore përgjatë një shekulli.

Ekspozita organizohet në një moment me simbolikë të veçantë, në intervalin mes dy përvjetorëve të rëndësishëm të historisë sonë institucionale: 100-vjetorit të themelimit të Bankës së Shqipërisë (1925) dhe 100-vjetorit të hedhjes në qarkullim të monedhës së parë kombëtare shqiptare (1926). Zgjedhja e Prishtinës si ndalesë e kësaj ekspozite pasqyron historinë e përbashkët dhe lidhjet e thella institucionale, kulturore dhe ekonomike ndërmjet shqiptarëve.

Ceremonia e çeljes u hap me fjalë përshëndetëse nga Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili, Kryeministri i Republikës së Kosovës  Albin Kurti, si dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. Më pas, u zhvillua prezantimi i ekspozitës nga ekipi i Bankës së Shqipërisë dhe vizita e përbashkët në hapësirën ekspozuese.

Guvernatori Sejko ne  fjalën e tij, theksoi se ekspozita synon të tregojë jo vetëm historinë institucionale të Bankës së Shqipërisë, por edhe historinë e përditshmërisë së qytetarëve: si janë paguar, si kanë kursyer, si kanë përballuar kriza dhe si kanë ndërtuar stabilitetin dhe mirëqenien ekonomike ndër breza. Ai vuri në dukje se monedhat dhe kartëmonedhat, përveç vlerës së shkëmbimit, mbartin simbole, trashëgimi dhe identitet, duke pasqyruar historinë e shtetit, ekonominë dhe besimin publik.

Ekspozita shpalos rrugëtimin e parasë dhe të bankës qendrore shqiptare në tri epoka kryesore historike, të formësuara nga ndryshimet politike, zhvillimet gjeopolitike dhe ngjarjet ekonomike, nga standardi i arit dhe ekonomia e planifikuar, deri te kornizat moderne të politikës monetare të orientuara drejt stabilitetit të çmimeve. Një vend të veçantë zë edhe fondi i pasur dokumentar, i mbështetur në arkivat e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave në Tiranë dhe të Arkivit të Shtetit Italian në Romë, që dëshmon edhe veprimtarinë e Bankës Kombëtare të Shqipnis në qytete të ndryshme të Kosovës në fillim të viteve ’40. ‘Në dekadat e fundit, shumë banka qendrore në botë e kanë zgjeruar komunikimin e tyre me publikun, jo vetëm për të shpjeguar politikat e tyre komplekse, por edhe për të krijuar ura të reja komunikimi. Ekspozitat, muzetë, programet për shkollat dhe aktivitetet me qytetarët janë mënyra për ta bërë një institucion kompleks dhe në dukje hermetik, më të afërt, më të kuptueshëm dhe më transparent. Në një botë ku teknologjia po transformon pagesat dhe ku rreziqet marrin forma të reja, nga luhatjet e çmimeve te pasiguritë gjeopolitike, mësimi themelor mbetet i njëjtë: stabiliteti kërkon institucione të forta, vendimmarrje të kujdesshme dhe një publik të informuar; dhe roli i një banke qendrore, në thelb, është t’i shërbejë stabilitetit dhe besimit. Këto nocione nuk duhet të jenë abstrakte, por duhen kuptuar si faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt pagat reale, kursimet e familjeve, kreditimin e ekonomisë dhe planet e biznesit.

Duke kujtuar vizionin shtetformues të Ismail Qemal Vlorës, kuptojmë më qartë se historia nuk shërben vetëm për të kujtuar, por edhe për të përcaktuar orientime të duhura. Vizioni jonë i sotëm është rruga drejt Bashkimit Evropian, ku përafrimi me rregullat dhe praktikat evropiane nuk duhen kuptuar vetëm si synim politik, por edhe si përmirësim konkret në jetën e qytetarëve. Në këtë frymë, hapa si përafrimi me standardet e pagesave evropiane dhe objektiva si integrimi në SEPA janë shembuj të qartë se si “tregimi i parasë” vazhdon të shkruhet, me më shumë lehtësi, transparencë dhe siguri, me lidhje më të forta ekonomike dhe me një hap tjetër drejt bashkëjetesës nën të njëjtin qiell dhe nën të njëjtin flamur, atë të Bashkimit Evropian.

Në përfundim, më lejoni të theksoj shtrirjen përtej Tiranës në trevat shqiptare, si një aspekt të veçantë të ekspozitës që e lëviz atë në kohë dhe në hapësirë. Në këtë kuadër, dua të vlerësoj veçanërisht bashkëpunimin me Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, për mbështetjen dhe mikpritjen në Prishtinë. Këto shkëmbime kulturore dhe institucionale janë të rëndësishme jo vetëm për të ndarë histori të përbashkëta, por edhe për të forcuar bashkëpunimin rajonal në fusha që prekin drejtpërdrejt qytetarët.

Ky projekt nuk do të ishte i mundur pa punën e shumë njerëzve dhe bashkëpunimin me historianë, ekonomistë, arkitektë, arkivistë dhe ekspertë të komunikimit. Rezultati që shihni sot është fryt i përbashkët i Bankës së Shqipërisë, botës akademike, institucioneve të dijes e të kulturës, si dhe partnerëve tanë në Shqipëri dhe jashtë saj. Një falënderim i veçantë shkon për partneritetin me Institutin Italian të Kulturës në Tiranë, si dhe për të gjithë profesionistët e partnerët që kanë kontribuuar në këtë nismë.

Ju ftoj ta ndiqni këtë ekspozitë me kureshtje, ta përjetoni si një pjesë të historisë sonë dhe të reflektoni mbi rrugëtimin që kemi bërë së bashku. Nëse ajo arrin të zgjojë interes dhe të hapë diskutime mbi historinë tonë monetare, atëherë e ka realizuar qëllimin e saj.

Çelja e kësaj ekspozite përkon me vigjiljen e Festës së Pavarësisë së Kosovës, 17 Shkurtit, datë që do të mbetet historike jo vetëm për popullin e Kosovës, por për të gjithë shqiptarët, kudo që të jenë. Ajo shënon kurorëzimin e një ëndrre të kahmotshme e legjitime për liri dhe pavarësi, dhe pikënisjen e përpjekjeve për ngritjen e një shteti të ri sovran, mbështetur në vlerat demokratike, i cili, me dinjitet e pjekuri politike, po dëshmon përherë e më shumë se është faktor paqeje e stabiliteti në rajon”, ka thënë Sejko.

Përmes kësaj ekspozite, Banka e Shqipërisë synon që historia të mos mbetet vetëm për t’u parë, por edhe për t’u kuptuar dhe përjetuar, si një mjet edukimi dhe ndërgjegjësimi financiar. Në një kohë kur vendimmarrja financiare bëhet gjithnjë e më komplekse dhe teknologjia po transformon mënyrën e pagesave, kultura financiare dhe besimi në institucione mbeten elemente kyç të stabilitetit dhe mirëqenies shoqërore.

Ekspozita “Paraja rrëfen: 100 vjet jetë dhe ngjarje, Banka e Shqipërisë” në Prishtinë realizohet falë bashkëpunimit me Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës dhe me mbështetjen e partnerëve institucionalë e kulturorë, ndër të cilët Instituti Italian i Kulturës. Ajo përbën një shembull të shkëmbimeve kulturore dhe institucionale që forcojnë lidhjet rajonale dhe ndajnë me publikun një histori të përbashkët shqiptare.

Banka e Shqipërisë fton publikun dhe median ta vizitojnë ekspozitën që do të qëndrojë e hapur në datat 16-20 shkurt 2026, në ambientet e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në Prishtinë, dhe ta ndjekin këtë rrëfim të parasë si histori e besimit, e identitetit dhe e shtetit shqiptar.