AKTUALITET, 25 Shtator 2023, 21:14

“U zbuluan para kohe, nuk arritën të krijonin alibinë”/ Eksperti tregon prapaskenat nga sulmi në Kosovë

“U zbuluan para kohe, nuk arritën të krijonin
Artur Meçollari

Akti terrorist që tronditi dje Kosovën, me vrasjen e një polici kosovar dhe plagosjen e një tjetri, ishte vepër e një grupi prej 30 terroristësh që mendohet se janë futur nga kufiri verior. Artur Meçollari, ish-Komandant i Forcave Detare dhe ekspert i sigurisë, tha në emisionin “Të Paekspozuarit” se kemi të bëjmë me një grup të strukturuar që kanë hyrë me 23 makina që lëvizën natën përpara ngjarjes. Sipas Meçollarit terroristët u zbuluan përpara kohe dhe nuk arritën të krijonin alibinë e të qenit të sulmuar nga policia e Kosovës.

“Kemi të bëjmë me një grup të strukturuar dhe kjo është e evidentuar edhe nga ambasada e SHBA-ve në Prishtinë.

Kemi ndryshim nga Krimea sepse statusi juridic është i ndryshëm nga Krimea dhe Kosova gjendet juridikisht nën sovranitetin e NATO-s.

Formati i Krimesë është pak i vështirë që të ndodhë për shkak të rezolutës 1244, që nuk e lejon, por krijimi i një destabiliteti në veriun e Kosovës, do të çonte në riformatimin e statusit të kësaj pjese, atë që kërkon edhe Serbia. Sipas informacioneve që kam unë ngjarja ka ndodhur 8-10 orë para se të shpërthente, sepse kemi lëvizje masive trupash terroriste, sepse janë 23 makina që kanë lëvizur natën përpara ngjarjes.

Por ata u zbuluan përpara kohe dhe nuk arritën të krijonin alibinë e të qenit të sulmuar.

Në gjykimin tim do të krijohej një situatë ku Policia e Kosovës do të ndërhynte dhe do të anatemohej si provokatore. Se si do të ishte sulmi i tyre këtë na e tregon armatimi i kapur me mina antitank për mjetet e blinduara, raketahedhës, raketa antitanke, mortaja, mitralozë të rëndë që janë kundër mjeteve që kanë FSK-ja dhe KFOR-i.

Zbulimi 8-10 orë përpara u hoqi legjitimitetin e sulmit”-deklaroi Meçollari.