AKTUALITET, 23 Shkurt 2025, 17:47

Dy javë pas zgjedhjeve në Kosovë, ende nuk janë numëruar mbi 96 mijë vota

Dy javë pas zgjedhjeve në Kosovë, ende nuk janë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të premten mbrëma përfundoi numërimin e votave për kandidatët për deputetë që garuan në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon me skanimin e listave të votuesve të nënshkruar në 2,533 vendvotime të rregullta në ditën e zgjedhjeve dhe vetëm pas këtij procesi i cili pritet të përfundojë javën e ardhshme, do të nis numërimi i votave të diasporës, votave me kusht dhe të personave me aftësi të kufizuara.

E në të njëjtën kohë, sipas KQZ-së, është duke ndodhur verifikimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës.

Janë rreth 69 mijë pako me fletëvotime nga votimi përmes postës KQZ nga diaspora dhe 15,352 votues që kanë votuar në përfaqësi diplomatike.

Procesit të verifikimit i janë nënshtruar 54,409 pako, prej të cilave janë aprovuar 51,140, ndërkaq janë refuzuar 3,269, derisa mbetet për t’i vlerësuar edhe 14,306 pako me fletëvotime, një numër prej të cilave mund edhe të refuzohen.

Numri i zarfeve me fletëvotimeve nga vendvotimet me kusht është 12,801, të cilat po ashtu do t’i nënshtrohen verifikimit.

Ndërkaq, numri i votave të personave me nevoja të veçanta është 2,597 vota.

E pas përfundimit të këtij procesi, pritet që së shpejti të nis numërimi i votave me kusht, votave nga diaspora dhe votave të personave me nevoja të veçanta.

Lidhur me këtë zëdhënësi i KQZ-së, Vlamir Elezi në një prononcim për Telegrafin ka thënë se numërimi i këtyre votave do të nis gjatë javës së ardhshme.

“Pas përfundimit të të gjitha procedurave, siç janë: skanimi i listës së votuesve të nënshkruar në vendvotimet e rregullta me qëllim të krahasimit me votuesit nga vendvotimet me kusht; vlerësimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, KQZ do të fillojë me numërimin e votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave nga votimi jashtë Kosovës. Kjo do të bëhet gjatë javës së ardhshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe sigurisht se mediat dhe vëzhguesit do të njoftohen me kohë”, ka thënë Elezi.

Ai ka theksuar se të shtunën, në QNR ka filluar skanimi i listës së votuesve të nënshkruar në 2,533 vendvotime të rregullta në ditën e zgjedhjeve.

“Skanimi i listës së votuesve të vendvotimeve të rregullta është i domosdoshëm para se të fillojmë me numërimin e votave nga vendvotimet me kusht, sepse na ndihmon që të sigurohemi se askush nuk ka votuar dy herë, në vendvotimin e rregullt dhe në vendvotimin me kusht.  Pasi të kryhen këto procese, do të mund të fillojë numërimi i votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave nga votimi jashtë Kosovës”, tha Elezi.

Lidhur me vlerësimin e pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, Elezi theksoi se aktualisht, KQZ është duke bërë vlerësimin e këtyre pakove, respektivisht nga votimi përmes postës.

“Nga data 9 shkurt, kur ka filluar vlerësimi apo verifikimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës dhe deri më 22 shkurt, këtij procesi i janë nënshtruar 60,997 pako, prej të cilave janë aprovuar 56,947 ndërkaq janë refuzuar 4,050. Arsyeja se përse janë refuzuar këto dërgesa, është se ato janë dërguar nga persona që janë anuluar gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës; u mungon dëftesa e regjistrimit; janë dërguar më shumë se një herë; kanë dërguar më shumë se një fletëvotim; etj”, tha Elezi.

Ai bëri të ditur se procesit të vlerësimit do t’i nënshtrohen edhe 7,718 pako me fletëvotime.

“Sipas procedurave, pakot me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshinë verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara.  Në përgjithësi, gjatë periudhës së regjistrimit, nga 104,924 shtetas të regjistruar për votim jashtë Kosovës, 84,600, ishin regjistruar për të votuar përmes postës dhe 20,324 të tjerë ishin regjistruar për votimin fizik në përfaqësitë diplomatike.  Nga 20,324 në përfaqësi diplomatike kanë votuar 15,352 votues, ndërkaq në votimin përmes postës KQZ ka pranuar rreth 69 mijë pako me fletëvotime”, ka thënë Elezi.

I pyetur rreth numrit të votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta, zëdhënësi i KQZ-së u shpreh se numri i zarfeve me fletëvotimeve nga vendvotimet me kusht është 12,801, të cilat gjithashtu do t’i nënshtrohen verifikimit, i cili përfshin krahasimin me listën e votuesve të nënshkruar në vendvotime të rregullta.

“Ndërkaq, numri i votave të personave me nevoja të veçanta është: 2,597 vota”, tha Elezi.