AKTUALITET, 7 Qershor 2024, 13:39

Dritan Dajti kërkoi përjashtimin e gjyqtarit Sandër Simoni, Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën

Dritan Dajti kërkoi përjashtimin e gjyqtarit Sandër Simoni,

Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e Dritan Dajtit për përjashtimin e gjyqtarit të çështjes, Sandër Simoni. Dritan Dajti, autori i vrasjes së katër efektivëve të policisë në gusht të vitit 2009 është në prag të lirimit nga qelia.

“Mospranimin e kërkesës për përjashtimin e gjyqtarit Sandër Simoni nga gjykimi i çështjes penale të regjistruar pranë Gjykatës së Lartë”, thuhet në vendim.

Sandër Simoni është gjyqtari që do shqyrtojnë rekursin e Prokurorisë, e cila në mars 2019 ankimoi vendimin e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda që vendosi pranimin e kërkesës për gjykim të shkurtuar të Dritan Dajtit duke ulur dënimin e tij 25 vite burg.

VENDIMI

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

GJYKATA E LARTË

Nr. 71000-00356-00-2024 i Regj. Themeltar

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, me trup gjykues të përbërë nga:

sot, më datë 06.06.2024, mori në shqyrtim, në dhomë këshillimi, kërkesën penale me nr. 71000-00356-00-2024  akti, regjistruar në sekretarinë e kësaj gjykate në datë 04.06.2024, që i përket:

KËRKUES: Dritan Dajti

OBJEKTI: Përjashtimin e gjyqtarit Sandër Simoni, nga gjykimi i çështjes penale me nr. 52105-00378-00-2019, në ngarkim të të pandehurit Dritan Dajti, pasi ekzistojnë shkaqe të rëndësishme të njënashmërisë së tij.

Përjashtimin e gjyqtarit Sander Simoni, nga gjykimi i çështjes penale me nr. 52105-00378-00-2019, në ngarkim të të pandehurit Dritan Dajti, pasi gjatë ushtrimit të funksioneve ka shfaqur mendimin e tij mbi faktet dhe rrethanat objekt të këtij procedimi.

BAZA LIGJORE: Neni 17 e vijues të Kodit të Procedurës Penale.

Në lidhje me çështjen penale me nr. 52105-00378-00-2019, datë regjistrimi 05.04.2019, qe i përket:

KËRKUES: Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda

AKUZUAR: “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” ndaj punonjësit të policisë Fatos Xhani, parashikuar nga neni 79/c i Kodit Penal, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” ndaj punonjësit të policisë Sajmir Duçkollari, parashikuar nga neni 79/c i Kodit Penal, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” ndaj punonjësit të policisë Altin Dizdari, parashikuar nga neni 79/c i Kodit Penal, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” ndaj punonjësit të policisë Kastriot Feskaj, parashikuar nga neni 79/c i Kodit Penal, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave me pasojë vdekjen e shtetasit Ledjon Mara dhe plagosjen e shtetasit Fatjon Shamku, parashikuar nga neni 79/ë i Kodit Penal, “Mbajtje pa leje të armëvë luftarake”, parashikuar nga neni 278/2 i Kodit Penal, “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, parashikuar nga neni 190/1 i Kodit Penal, “Mbajtja e pa të drejtë e uniformës”, parashikuar nga neni 247/2 i Kodit Penal.

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë pasi shqyrtoi aktet në dhomë këshillimi,

–  Me shkresën e datës 10.07.2014, kam njoftuar Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Prokurorinë e Përgjithshme dhe Ministrinë e Rendit Publik në lidhje me kërcënimet ndaj avokatëve, gjyqtarëve, administratës, kërcënimet ndaj meje si drejtues gjykate duke referuar sjelljet e të pandehurit dhe disa të afërmve të tij. Referuar shkresave te mësipërme, vlerësoj se unë kam dhënë mendim për zgjidhjen e çështjes dhe duke u referuar në veçanti shkresave të datës 19.06.2013 dhe 10.07.2014, kam shkaqe të rëndësishme njëanshmërie në gjykimin e këtij rekursi si gjyqtar në Gjykatën e Lartë.

Në këto kushte vlerësoj se në funksion të një gjykimi të drejtë e objektiv që ofron garanci për palët, të garantimit të paanshmërisë së gjyqtarit në gjykim dhe për arsye etike, unë nuk mund të jem gjyqtar i kësaj çështjeje, pasi nuk përmbush kriterin objektiv të paanshmërisë. Rekursuesi dhe personi i dënuar janë në dijeni të këtyre fakteve dhe veprimeve të mija e shkresave të sipërcituara.

–  Sa sipër këto fakte jo vetëm që nuk kanë qënë të ditura në datën 29.05.2024, kohë kur ai ka depozituar kërkesën në Gjykatën e Lartë për përjashtimin e gjyqtarit Sandër Simoni. Njëanshmëria dhe shfaqja e mendimit mbi faktet dhe rrethanat objekt të këtij procedimi të deklaruar nga vetë gjyqtari, nuk mund të jetë një lapsus, por një bindje etiko-profesionale sepse është një magjistrat i spikatur, me integritet dhe nuk mund të gabojë në kërkesat për heqje dorë nga gjykimi. Deklarimi i gjyqtarit për heqje dorë nga gjykimi i çështjes, nënkupton ekzistencën e shkaqeve ligjore dhe bindëse për pamundësinë e pjesëmarrjes së tij në këtë gjykim. Pavarësisht kësaj prove të rëndësishme dhe të pastër njëanshmëri, kërkesa për heqje dorë nuk është pranuar, duke pretenduar për prova anshmërie aktuale, kur ndërkohë ky term nuk njihet nga Gjykata e Shqipërisë.

– Në këto kushte a ka frikë më të madhe për paanshmëri kur gjyqtari kallëzon në polici të pandehurin që po gjykon dhe familjarët e tij për kërcënime ndaj avokatëve, gjyqtarëve, administratës, pavarësisht se ka ndodhur në 2014?. Në këtë kontekst fakti që Kryetari i Gjykatës kërkon prova aktuale vjen në kundërshtim me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese se “e drejta për t’u gjykuar nga një gjykatë e paanshme kërkon që drejtësia jo vetëm të bëhet por edhe të duket”. Në zbatim të këtij parimi do të duhet të kalohen të dy testet si subjektiv dhe ai objektiv

Bazuar në nenin 21/2 Kodit të Procedurës Penale,

–  Mospranimin e kërkesës për përjashtimin e gjyqtarit Sandër Simoni nga gjykimi i çështjes penale të regjistruar pranë Gjykatës së Lartë, nr. 52105-00378-00-2019, datë 05.04.2019.

– Zbatimin e gjobës ndaj kërkuesit në masën 10 000 ( dhjetëmijë) lekë.

– Ky vendim është i formës së prerë

– Nje kopje e ketij vendimi t’u njoftohet palëve në proces.

– Nje kopje e ketij vendimi t’i komunikohet gjyqtarit Sandër Simoni.

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda pranoi gjykimin e shkurtuar dhe më 9 shkurt 2019 dënoi në total me 25 vite burg Dritan Dajtin për vrasjen e 4 efektivëve Kastriot Feskaj, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Fatos Xhani.

Kështu, gjykimi i shkurtuar i ka dhënë të drejtën Dajtit të përfitojë nga ulja e dënimit me 1/3-ën. Çështja është gjykuar nga gjyqtarë, të cilët vinin nga Apelet e Rretheve, ndërsa vendimi u dha pas disa seancash shtyrje për mosformim të trupit gjykues. Për shkak të “konsumimit” të gjyqtarëve të Tiranës, procesi ndaj Dajtit mbeti në dorën e 5 gjyqtarëve të deleguar nga rrethet.

Konkretisht, në trupin gjykues ishin deleguar për të shqyrtuar çështjen gjyqtarët: Skënder Damini, Fuat Vjerdha, Petrit Aliaj, si dhe Lindita Hoxha dhe Aleks Nikolla të Gjykatës së Apelit të Vlorës.

Por, kjo nuk ishte hera e parë që autori i vrasjes së 4 punonjësve të Policisë, gjykohej në Apel, pasi herën e parë Kolegji Penal, i kryesuar nga gjyqtari Idriz Mulkurti, i dha atij katër vendime me burg përjetë për vrasjen e secilit efektiv Policie.

Ky vendim u kthye nga Gjykata e Lartë për rigjykim, për shkak të shkeljeve të konstatuara, kryesisht për mungesën e një avokati mbrojtës.

Ngjarja, për të cilën Dritan Dajti u gjykua dhe u dënua me vendim të formës së prerë, me 25 vite burg, ka ndodhur në 7 gusht të 2009, në orën 13:50 në lagjen Nr.13, Plazh, Durrës, pranë pistës së vogël “Iliria”. Në dosjen e Prokurorisë sqarohet se gjatë kryerjes së operacionit për kapjen e shtetasit Dritan Dajti, kanë qenë të pranishëm disa punonjës Policie, ndërsa është marrë informacion për një makinë ku dyshohej se ishte Dajti.

Pas konstatimit të këtij automjeti, grupi operacional ka vazhduar ndjekjen për mbajtjen në vëzhgim dhe kapjen e këtyre personave. Në këtë moment, policët janë afruar në drejtim të mjetit tip “Touareg” me tri automjetet e tyre. Sapo janë afruar te mjeti “Touareg”, punonjësi i Policisë, Fatos Xhani, ka hapur derën e parë të shoferit të mjetit tip “Touareg” dhe me thirrjen “Ndal, Policia!”, i është drejtuar personit që ndodhej në sediljen e pasme të mjetit. Menjëherë nga ana e personit që ndodhej brenda mjetit, është hapur zjarr në drejtim të Fatos Xhanit, duke e lënë të vdekur atë.

Po nga brenda makinës, nga i njëjti person është hapur zjarr nga krahu i djathë i makinës, sedilja e pasme nga brenda jashtë, me dy armë zjarri ku për pasojë, ka mbetur i vrarë punonjësi i policisë Sajmir Duçkollari. Sipas Prokurorisë, personi që qëlloi nga brenda “Touareg”-ut dhe vrau dy punonjësit e Policisë, Fatos Xhani dhe Sajmir Duçkollari, doli nga dera e pasme e mjetit, krahu pas shoferit, dhe menjëherë ka hapur zjarr në drejtim të punonjësit të Policisë, Altin Dizdari.

Nga shkëmbimi i zjarrit, pikërisht në mesin e kryqëzimit ku po zhvillohej ngjarja, ka mbetur i vrarë polici Altin Dizdari si dhe shtetasi Ledion Mara, i cili ishte i shoqëruar me Ergest Xhoxhin. Pasi ka kryer këto veprime, personi që doli nga makina vazhdoi rrugën në drejtim të plazhit me një çantë që kishte krahëqafë.

Me pistoletën që mbante në dorë ka qëlluar dy herë në drejtim të Petrit Sulkës, i cili kishte mbetur i rrëzuar në mesin e rrugës për në plazh, në momentin që po përleshej me personin që arriti të largohej. Dritan Dajti është arrestuar disa minuta më vonë i plagosur, ndërsa gjatë procesit ai është shprehur se ka vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes.