TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Në seancën e parë në themel për Inceneratorin e Tiranës, Prokuroria e Posaçme thotë se ajo ka prova të reja për çështjen, përfshirë edhe ndaj ish-ministrit Lefter Koka, ndaj të cilit është shuar masa e arrestit.
Trupa gjykuese përbëhet nga relatorja Ilirjana Olldashi, ndërsa anëtare Nertina Kosova dhe Daniela Shirka. Prokurori Dritan Prençi kërkon në GJKKO përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor të provave të administruara në shkallën e parë.
Dritan Prençi: Në momentin kur është marrë vendimi nga GJKKO nuk kanë qenë këto rrethana të reja, që ne i mendojmë të tilla dhe duhet t’i vlerësojë tashmë ky kolegj. Kërkojmë përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor për të marrë disa prova sa i përket edhe ankimit që është bërë nga palët. Kjo edhe sa i përket Lefter Kokës ndaj të cilit është shuar masa e arrestit. Gjykata të vlerësojë provat që janë administruar në shkallë të parë.
Mbrojtja ka kundërshtuar duke thënë se sipas tyre ish-ministri është gjykuar, dënuar dhe gjykata ka shuar masën e arrestit ndaj tij.
Mbrojtja e Lefter Kokës: Kërkesa e SPAK për riçeljen e shqyrtimit gjyqësor është e pabazuar materialisht dhe proceduralisht. Lefter Koka është dënuar, nuk është shpallur i pafajshëm. Baza ligjore që SPAK kërkon për marrjen e një prove të re nuk është e drejtë për të mbështetur ankimin. Koka është gjykuar dhe hetuar për inceneratorin e Tiranës me masë “arrest në burg”, dhe në 16 prill 2025 është deklaruar fajtor që përkon dënimi me kohën kur ai ka qenë në paraburgim dhe gjykata shoi masën e sigurisë ndaj tij sepse përkonte me kohën kur ai ka qënduar në paraburgim. Kërkojmë rrëzimin e kërkesës së prokurorit.
Lefter Koka u lirua në dhjetor 2025 pas 4 viteve në burg. Gjyqtari Bib Ndreca shoi masën e sigurisë të arrestit në burg për inceneratorin e Fierit për kalim të afateve të paraburgimit dhe tani gjykimi duhet të vijojë në liri. Kjo u miratua edhe nga Apeli i GJKKO që rrëzoi kërkesën e SPAK, por kjo e fundit ka të drejtën për të bërë rekurs në Gjykatën e Lartë.
Për inceneratorin e Fierit Lefter Koka u dënua me gjykim të shkurtuar 6 vite e 8 muaj burgim nga GJKKO e shkallës së parë për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe shpërdorimit të detyrës, por ende nuk ka një vendim të formës së prerë pasi dosje u rikthye në Gjykatën e Apelit, ku e risolli Gjykata e Lartë.
Sa i përket dy dënimeve të tjera ndaj Lefter Kokës, atë për incenerarorin e Elbasanit dhe atë të Tiranës, ish-ministri e kishte fituar më herët lirimin nga burgu.