AKTUALITET, 4 Mars 2026, 13:05

'Dhunë'/ Drafti i PS për rregulloren e Kuvendit, Bardhi: Propozimi i ri i njëanshëm, provokim i ulët! S’është statut i partisë që të ndryshohet çdo muaj

'Dhunë'/ Drafti i PS për rregulloren e Kuvendit, Bardhi:

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar pas publikimit të draftit të ri të Rregullores së Kuvendit nga PS, pas rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese.

Në një reagim në rrjete sociale, ai e cilëson si një provokim të ulët propozimin e ri të njëanshëm të socialistëve, duke shtuar se rregullorja nuk është një statut i PS-së që të ndryshohet çdo muaj me vullnetin e saj.

“Nëse një palë dikton rregullat e bashkëjetesës në mënyrë të njënashme, atëherë kjo është dhunë e shumicës ndaj pakicës brenda Kuvendit! Bashkëjetesa brenda institucioneve demokratike pamundësohet dhe opozitës i diktohet me forcën e kartonit edhe nëse duhet të flasë apo jo, sa duhet të flasë dhe çfarë duhet të thotë.“, thekson Bardhi.

Sipas Bardhit, diktimi i rregullave nga njëra palë në mënyrë të njëanshme është dhunë që bëhet nga pakicës në Kuvend.

Sipas tij, me këtë veprim, maxhoranca po nxit defunksionalizimin e Kuvendit dhe po i pamundëson opozitës përmbushjen e vullnetit të saj.  Ai rikujton ndryshimet e bëra me konsensu në vitin 2012, duke shtuar se ishte kusht i KE-së që Shqipëria të merrte statusin e vendit kandidat për në BE.

“Po sot? Sot është kthyer në një leckë me të cilën mazhoranca e korruptuar e Edi Ramës provokon çdo muaj opozitën, edhe kur kësaj të fundit i jep të drejtë njëzëri Gjykata Kushtetuese. Pa asnjë grimcë ndjese, pa asnjë grimcë reflektimi.”, përfundoi Bardhi.

Reagimi i plotë:

Rregullorja e Kuvendit nuk është Statuti i PS, që ndryshohet çdo muaj sipas vullnetit të vetëm një partie politike. Rregullorja e Kuvendit është ligji që garanton bashkëjetesën e të gjitha forcave politike brenda institucioneve demokratike, përcaktuar në mënyrë konsensuale dhe tashmë me rregulla të konsoliduara.

Nëse një palë dikton rregullat e bashkëjetesës në mënyrë të njënashme, atëherë kjo është dhunë e shumicës ndaj pakicës brenda Kuvendit! Bashkëjetesa brenda institucioneve demokratike pamundësohet dhe opozitës i diktohet me forcën e kartonit edhe nëse duhet të flasë apo jo, sa duhet të flasë dhe çfarë duhet të thotë.

Duke dënuar me forcë provokimin e ulët të Grupit Parlamentar të PS përmes propozimit të ri të njëanshëm për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, i rikujtoj se po nxit përmes veprimeve të njënashme, defunksionalizimin e Kuvendit dhe po i pamundëson opozitës përmbushjen e vullnetit të saj për të ushtruar rolin e vet në një shoqëri demokratike.

Rikujtoj po ashtu, që në vitin 2012 ndryshimi vetëm me KONSENSUS i Rregullores së Kuvendit ishte kusht i Komisionit Europian që Shqipëria të merrte statusin e vendit kandidat për në BE. Po sot? Sot është kthyer në një leckë me të cilën mazhoranca e korruptuar e Edi Ramës provokon çdo muaj opozitën, edhe kur kësaj të fundit i jep të drejtë njëzëri Gjykata Kushtetuese. Pa asnjë grimcë ndjese, pa asnjë grimcë reflektimi.