AKTUALITET, 15 Nëntor 2025, 12:56

“Do të hapim te Kryeministria një Parlament”, Berisha zbulon skenarin e protestës që nis të hënën

“Do të hapim te Kryeministria një Parlament”, Berisha

Kreu i PD-së, Sali Berisha ka treguar skenarët e protestës para Kryeministrisë që do të zhvillohet ditën e hënë. Berisha u shpreh se do të “hapet” një Parlament para godinës qeveritare, sipas tij për shkak se gjatë seancave në Kuvend opozita nuk është lejuar të debatojë.

Kryedemokrati shtoi se kjo protestë do të organizohet 1 herë në javë, ku deputetë e qytetarë do të thonë zërin e tyre.

Gjithashtu shtoi se po projektohen demostrata të tjera, por shtoi se do të thirren në kohën e përshtatshme.

“Protesta e ditës së hënë, do të hapim aty një foltore, një Parlament. Në 10 seanca opozita është lejuar të debatojë vetëm në 1 seancë.

Para këtij bllokimi të plotë, hapim foltoren parlamentaro-qytetare para Kryeministrisë 1 herë në javë, ku deputetë dhe qytetarë do thonë zërin e tyre. Protesta të tjera po projektohen, por do të thirren në kohën e përshtatshme”, tha Berisha.

Berisha solli shembullin e vendeve të tjera të largëta si model për protestën e PD.

"Një narkoregjim rrëzohet vetëm me protesta siç u rrëzua në Nepal që nuk ishte narkoregjim, por që ishte diktaturë autoritare, që e pranonte pluralizmin, por shtypte pluralizmin.
Siç u rrëzua në Bangladesh një diktaturë autokratike që e pranonte pluralizmin, por e shtypte atë.
Siç u rrëzua në Bangladesh dhe siç u rrëzuan në një seri vendesh.
Pra, protesta, protesta dhe vetëm protesta.
Të tjerat janë absolutisht iluzione"- tha kryetari i PD-së.