TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kjo është Tirana jonë ,Tirana e kontradiktës, e ndërtimeve luksoze dhe simbolit të zhvillimit ekonomik e megjithatë ende qyteti ku blerja e një banese është ëndërr.
Qytete që po zhvillohen me një ritëm të shpejtë nga projekte kompanish të afirmuara ose të nënkontraktuar. Mes kësaj gare ndërtimesh që ka mbërthyer qytetet jemi ne.
Nga 2020 e në vazhdim në të gjithë vendin sipas INSTAT u dhanë 7873 leje ndërtimi, nga të cilat 1154 për pallate. Por po aq konkurruese ishin edhe lejet për rezidenca, hotelet, ndërtesat tregtare dhe industriale. Një boom që ka edhe anën tjetër.
Dhe mjafton një ngjarje, që përtej shpejtësisë se si ngrihen kat pas kati pallatet, bëhet reale shprehja “ mos luaj me zjarrin, me ujin dhe shtetin”
I ndërtuar nga kompania Arlis, ky kompleks do të duhej t’i kishte të gjitha standardet. Nuk rezultoi kështu, mori flakë si kashtë. Të gjithë banorët që gjendeshin brenda panë vdekjen me sy deri në çastin që u evakuuan.
“Këtu kam mbesën jetime që kanë punuar një jetë të tërë bashkë me nusen dhe ju është djegur totalisht shtëpia”, shprehet në lot e moshuara.
5 minuta përpara shpërthimit të zjarrit në videon e administruar si provë nga prokuroria, ka dyshime se janë hedhur mbeturina në një karrocë. Kjo konsiderohet si vatra e zjarrit, dhe për këtë shkak katër të arrestuarve të prangosur për shkelje të rregullave në punë ju kualifikua vepra në shkatërrim prone nga pakujdesia duke sjellë lirimin e inxhinierit të kompanisë, administratorit të pallatit, menaxheres dhe nënkontraktorit që kishte ndërtuar fasadën
Hetimet do të provojnë në fund shkaqet e vërteta të zjarrit, megjithatë befasia mbetet, se pse pas djegies së një pallati të mëparshëm po në Tiranë dhe që ishte ndërtuar po nga e njëjta shoqëri, nuk pati asnjë masa për të parandaluar për së dyti ndezjen e një rezidence me dhjetëra shtëpi.
Pa një analizë nga zjarrvënia e parë, në kompleksin e radhës banorët u lejuan të hyjnë në shtëpi. Deri ditën që pallati shumëkatësh u kthye në një vatër zjarri të rrezikshme, nga e cila doli sërish tymi i çështjeve të pazgjidhura.
Gjergji Simaku, president i Tirana College of Technology: Nuk shkoi mirë alubondi dhe alubondi ka marrë flakë dhe është e rrezikshme edhe për pjesën tjetër. Kjo është plastike, është lëndë e djegsh, e vërtetoi ngjarja që është e djegshme.
Shkëlqim Goxhaj, drejtor i shërbimit zjarrfikës: Është instituti i ndërtimit dhe institucionet e tjera që përcaktojnë materialet që duhet të përdoren në ndërtime. Do ketë një inspektim për këto pallate dhe jam i mendimit që materiale të tilla duhet të hiqen që mos të paraqesin rrezik për qytetarët.
Çështja bëhet shqetësuese kur një situatë e ngjashme pati ndodhur në Londër gati dhjetë vjet më parë me shkrumbimin e Grenfell Tower, ku ishte përdoruri i njëjti material fasadë dhe termoizolues si tek pallati i djegur në Shqipëri.
Një material që nuk rekomandohet e megjithatë nuk ndalohet me ligj. Ndonëse nga 2015 është në fuqi ky urdhër i ministrit të kohës Saimir Tahiri ku gjatë miratimit të rregullave për mbrojtjen nga zjarri, u renditën kategoritë e materialeve nga të padjegshmet deri klasa 2, që janë të djegshmet.
Kanë një katalog institucione që ta ndalojnë?
Gjergji Simaku, president i Tirana College of Technology: Po ta kenë arkitektët të na i thonë, ne nuk kemi, por në fasada nuk mund të vihet flakë nga viti 2017, që kur ndodhi gjëma në Angli, dhe Evropa pas kësaj mori masa. Evropa mori masa që fasadat nuk mund të jenë të djegshme. Shqipëria nuk e ka një rregullore të tillë, por mund të shtohet.
Maks Kola, urbanist, arkitekt: Etalbonin në vetvete Shqipëria e merr nga Turqia, që nuk është vend i BE, por ky nuk është i lejueshëm në BE.
Shkëlqim Goxhaj, drejtor i shërbimit zjarrfikës: Nuk është ndërtuar këto tre vjet, është ndërtuar para shumë vitesh. Duke qenë rasti i dytë që ndodh në bashkinë e Tiranës ne kemi kërkuar që ky material të jetë përfundimisht i certifikuar që nuk shërben për përhapjen e zjarrit, duke marrë shkas edhe nga praktikat evropiane nëse do keni parasysh rastin e Valencias në Spanjë, dhe aty ishte materiali që e përhapte zjarrin, pas kësaj janë marrë masa që ky produkt mos të përdoret, duhet përdorur vetëm brenda standardeve.
Alban Qafa, jurist: Duhet të ketë një kontroll më rigoroz që kur vendoset sistemi kapot, duhet të verifikohet materiali përpara se të vendoset tek fasada.
Kushtet
Çështja që shtrohet tashmë nuk lidhet më vetëm zhvillimin urbanistik ku duhet të ishin paramenduar kriteret, duke nisur nga rrugët, shkallët e emergjencës dhe sistemi hidrik në çdo godinë.
Maks Kola urbanist, arkitekt: Shqipëria ka sipërfaqe rrugore tre herë më pak se vendet përreth, Maqedonia, Mali i Zi dhe Kosova. Pra po të matemi me vendet përqark jemi në këto nivele, që do të thotë dendësia e banimit rritet, dhe sipërfaqja e metrave katrorë rritet kryesisht në Tiranë dhe bregdet dhe sipërfaqet e rrugëve nuk zgjerohen. Pra kemi në përpjesëtim të zhdrejtë me numrin e banorëve, probleme në trafik dhe për ambulancat, makinat e policisë dhe mbi të gjitha zjarrfikëset.
Shkëlqim Goxhaj, drejtor i shërbimit zjarrfikës: Në aktivitetin tonë të përditshëm ne e kemi të përcaktuar zonat ku ka vështirësi për tu afruar afër objektit, këto zona janë afër Tiranës, qendrës, Myslym Shyri. Sa herë ka ngjarja në këtë zonë zjarrfikësit e dinë se ku po shkojnë.
Por a mund t’i besohet siguria e një pallati vetëm subjektit projektues dhe kush verifikon nëse leja e miratuar në letër përputhet në terren me çdo detaj të shkruar dhe përse pas çdo ngjarjeje të ngjashme, zjarrvënie apo bllokim ashensorësh, penalizohen vetëm supervizorët dhe administratorët?
Alban Qafa: Ai supervizori që ndjek është përgjegjësi, ai duhet të jetë i pari për materialin dhe pastaj janë kualiduesit dhe ISHTI, të gjitha nuk kanë funksionuar. Sipas ligjit për administratorët është detyrimi që ata të jenë të trajnuar dhe në emergjencë duhet të jenë të parët që të reagojnë, i ka parë bashkia a janë apo jo sa për të qenë në rregull?
Gjergj Simaku: Më trego në legjislacion se çfarë përgjegjësie mban supervizori përveçse nëse ndodh kjo shkon në burg, por dhe gabim nuk ka bërë se nuk përcaktohet në specifikimet e një ndërtese se çfarë materiali, përshembull marrim shembull godina që ndërtohen nga BE. Godina e SPAK ku ju raportoni, atje kishte një katalog, me detaje, unë kam qenë supervisor dhe aty nuk mund të bëje gabim se një material para se të futet firmosej nga supervvizori.
Mark Kola: Nuk ka një ligj që të detyrojë familjarët dhe ndërtuesit që të vendosin në banesat dedektorë tymi apo xhami, zjarri mund të lindë nga një harresë si pianura, apo hekuri. Ne nuk e kemi ligj që të ketë një siguri njësoj si në aeroporte, muzetë apo në ambientet publike. Problem tjetër është se referuar edhe burimit të zjarrit në pallatin në fjalë, është në katet përdhe kryhen njësi shërbimi. Në vendet europiane, janë të ndara se ku do të janë shërbimet dhe ku banesat. Problem tjetër është që shiten apartamentet për shtëpi dhe kthehen në njësi, mund të jenë studio, klinika mjekësore, dentare. Kjo sjell problemin se kur një konstruktor kur ndërton parashikon edhe funksionin. Aq më tepër që katet përdhe pasi kualidohen dhe certifikohen më pas kryhen mobilimi i tyre, kthehen në butikë, shërbime të ndryshme, magazine dhe nga ky moment pronari i ri futet dhe ndërhyn në rrjetin elektrik dhe ujërat e zeza, por duke bërë aspirimin, nuk e kontrollon dot rrezikun sepse ndërhyrja kryhet pa leje dhe kjo gjë sjell edhe problemet.
Alban Qafa: Është e detyruar kompania që në momentin që kualidohet ndërtimi duhet të paraqesin të gjithë origjinën e mallit…
Gjergji Simaku: Kemi bërë një VKM në të cilën kemi vendosur kushtet e izolimit termik ku kemi caktuar një koeficient nxehtësie por askush nuk përcakton çfarë materialesh duhen që të arrihet ky koeficient. Arkitektët dhe gjithë zyrat e urbanistikës dhe mbi të gjitha institucioni që cerfitikon këto ndërtime para lejes, bën një certifikatë paraprake të prodhimit të energjisë, por çfarë materialesh vendosen nuk mban përgjegjësi. Këtu është boshllëku që ka VKM 537 e 2020 që u bë pak me nxitim dhe që nuk vendosi për koeficientin për transmetimin e energjisë që të vendosej edhe për materialet ai ishin të rrezikshme apo jo.
Ajo që dihet është se duke nisur nga faza fillestare punimet ndiqen nga supervizori etapë që mbyllet me koalidimin, ndryshe pasaporta e njohjes së ndërtesës. Por ligji rendit detyrimet gjatë fazës së aplikimit, marrjes së lejes deri mbylljes së projektit. Por cilësia mbetet e diskutueshme.
Gjergji Simaku: Nuk mund të them që fasadat nuk janë të garantuara, fasadat janë të garantuara nëse materialet nuk janë të djegshme. Rregulloret përkatëse janë deri në nivelin e materialet. Çështja qëndron që brenda fasadës të mos ketë elementë të djegshëm por të jetë brenda standardeve që ne nuk i kemi standardet. Ne këtu gjejmë një sistem kapot, ndërkohë që brenda të njëjtit vend gjejmë edhe këtë standardin dhe duhet vërtetuar që janë plastike apo jo, për mendimin tim janë pllaka gres dhe nuk duhet të jenë të djegshme.
Fjolard Saliko, inxhinier elektrik: Në fillim janë dokumente të rregullta dhe dalin sipas standardeve, të përcaktuara nga euronorma, por që cedojnë në praktikë kur vjen puna për t’i bërë rigoroze për mbarëvajtjen e ndërtimit të një objekti.
Maks Kola: Ka projekte që e marrin lejen në institucionet shtetërore por ka edhe projekte që ndërtohen për tu legalizuar në fund fare dhe kjo e dyta është shumë më pak profesional sesa ai objekt që kolaudohet në bashki.
Gjergji Simaku: Kur ligji ka dalë në vitin 2016, dolën aktet nënligjore, midis tyre dolën edhe aktet për termoizolim. Që e kontrollojnë audituesit të energjisë, aty, kjo do të thotë se gjithë këta kanë bërë detyrën e tyre, që është vënë termoizolimi dhe askush nuk është marrë me cilësinë.
Alban Qafa: Gjatë zbatimit të punimeve shumë nuk i zbatojnë elementët e sigurimit teknik dhe marrin më të lirat, që janë materiale të ekspozuara karshi duke marrë flakë pallati si kuti shkrese, a ka apo jo shkallë emergjence edhe aty ku jetoj unë s’ka
Kush e kontrollon cilësinë e punimeve?
Gjergji Simaku: Pyetja që më bëre e ngjashme me kundrapyetjen: kur vjen një elektricist a është i certifikuar? Jo! Kështu janë edhe këta, në Shqipëri ekziston një listë e profesioneve, mbi bazën e certifikatave, se elektricisti të bën dëm, por ti nuk e fajëson dot. Nuk je i sigurtë me këdo punëtor që fut në shtëpi, pra kjo gjë në mendimin tim se në legjislacioni që po bëhet në përputhje. Vetëm ngjyra është miratuar nga institucionet. E njoh mirë edhe bumin e viteve 2000. Kush merr më shumë kosto? Betoni, llaci, nuk marrin sistemet mekanike, kundra zjarrit, ti nuk ke një depozitë të gatshme, hidrike që të vijë zjarrfikësja e të mbushet këtu me ujë. Këto mungojnë në legjislacion që në fund të nxjerrësh fajtorët. Sot nuk nxjerr dot fajtorë se nuk ke ku kapesh me legjislacion pavarësisht.