TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë këtë të diel venddepozitimin e mbetjeve në landfillin e Bushatit, duke shkaktuar një situatë problematike në zonë.
Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër ka reaguar këtë mbrëmje duke deklaruar se ende zjarri vijon të jetë aktiv, i favorizuar nga kushtet e erës, ndërsa situata po menaxhohet dhe mbahet nën kontroll operacional nga strukturat në terren.
Në operacion janë angazhuar rreth 20 efektivë të MZSH-së së bashkisë përkatëse me 3 automjete zjarrfikëse, në bashkëpunim me punonjësit e landfillit dhe Policinë Bashkiake. Në mbështetje janë angazhuar gjithashtu njësitë nga bashkitë Shkodër, Lezhë, Tiranë dhe Kamëz, me mjete dhe efektivë shtesë, duke garantuar një reagim të koordinuar ndërinstitucional.
Po punohet paralelisht me mjete të rënda (ekskavatorë dhe kamionë) për izolimin e vatrave të zjarrit dhe kufizimin e përhapjes së tij, ndërsa furnizimi me ujë vijon në mënyrë të pandërprerë përmes autobotit të angazhuar në terren.
Zjarri ka përfshirë mbetje urbane dhe, në këtë moment, nuk paraqet rrezik për banesat përreth.
Reagon Boçi
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka publikuar pamjet nga landfilli i Bushatit, duke e cilësuar si një katastrofë mjedisore dhe shëndetësore.
Në reagimin e tij publik në rrjetet sociale, Boçi akuzon kryeministrin Rama për mbingarkimin e landfillit me mbetje nga disa qarqe dhe për dështimin e inceneratorëve. Ai thekson se zjarri mund të jetë i qëllimshëm për të krijuar hapësira të reja depozitimi.
Boçi thekson se, situata ishte paralajmëruar më herët nga opozita dhe ekspertët, por nuk u morën masa.
"Pamjet apokaliptike vijnë nga landfilli i Bushatit në flakë që prej paradites së sotme.
Bushati “parajsa” e fitimit për korrupsionin qeveritar e interesave kriminale, është dëshmuar sot si porta e “ferrit” për qytetarët e zonës.
Dëmi në mjedis e shëndet është i pallogaritshëm.
Bushati s’ka më kapacitet pas viteve përdorim.
Por Rama i shtoi atij trefish ngarkesë me vendimin absurd për të depozituar aty mbetjet, përveç Shkodrës dhe Lezhës dhe të Elbasanit e Fierit.
Kjo sepse inceneratorët që gllabëruan miliona euro në Elbasan e Fier nuk funksionojnë.
Dhe për të mbuluar korrupsionin u mor ky vendim korruptiv.
Korrupsioni për Ramën lahet me korrupsion.
Zjarrvënia aty është e qëllimshme, sepse duhet të hapet hapësirë që të vijnë plehra më shumë pas ezaurimit të kapaciteteve dhe fitimi korruptiv të mos ndalet.
Siç duket nga Elbasani u morën jo vetëm plehrat, por dhe taktika e zjarrvënies e aplikuar disa herë në Elbasan.
Kjo katastrofë mjedisore e shëndetësore,
për shkak të vendimit absurd të Ramës u paralajmërua nga PD dhe ekspertët, por nuk u dëgjua.
Sot zjarrvënësit e fateve të shqiptarëve se kanë për gjë t’i vendosin një zjarr një landfilli për të ndezur akoma më shumë makutërinë e tyre për të fituar sa më shumë para mbi shëndetin e rrezikuar të njerëzve dhe helmimin e mjedisit!
Ky është Rama dhe kjo është mënyra si qeveris ai!!!!"- shkroi Boçi.