TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Qindra qytetarë dhe aktivistë janë mbledhur këtë të martë në sheshin “Skënderbej” për protestën e 31-të kundër qeverisë, në një tubim që përkon me një muaj nga nisja e këtij mobilizimi.
Grumbullimi i protestuesve nisi rreth orës 19:00 në sheshin “Skënderbej”, nga ku qytetarët dhe aktivistët u drejtuan drejt godinës së Kryeministrisë.
Organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve nga e gjithë Shqipëria, si dhe shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, që t’i bashkohen protestës, duke theksuar se kërkesa e tyre mbetet e pandryshuar: largimi i kryeministrit Edi Rama.
Protesta e kësaj të marte është zhvilluar pas një dite të shoqëruar me tensione, pasi tubimi kishte nisur më herët para Parlamentit. Pas incidenteve të raportuara dhe përplasjeve mes disa protestuesve dhe forcave të policisë, disa prej pjesëmarrësve u shoqëruan nga uniformat blu.
Sipas policisë, 6 persona u ndaluan me motivacionin për kundërshtim të forcave të rendit, ndërsa pas disa orësh ata u liruan. Pas këtyre zhvillimeve, një pjesë e protestuesve u zhvendosën pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe më pas te Komisariati Nr.1, duke kërkuar lirimin e personave të shoqëruar.
Gjatë tubimit, thirrja kryesore e protestuesve vijoi të ishte “Rama jep dorëheqjen”. Ata kanë deklaruar se kërkojnë largimin e qeverisë, hetimin e kryeministrit dhe zyrtarëve të tjerë të lartë, si dhe ndryshimin e asaj që e cilësojnë si “klasa e vjetër politike”.
Në podiumin e ngritur para Kryeministrisë, organizatorët dhe aktivistët kanë mbajtur fjalime, ku kanë përsëritur akuzat e tyre ndaj qeverisë dhe institucioneve.
Organizatori Arben Kola deklaroi se protesta do të vijojë dhe kritikoi mënyrën e menaxhimit të situatës nga policia. Ai u bëri thirrje qytetarëve të reagojnë dhe kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Ndërkohë, organizatori Edison Lika e cilësoi protestën si një rezistencë paqësore dhe tha se, pavarësisht tensioneve, qytetarët nuk ranë pre e provokimeve. Ai kritikoi gjithashtu deputetët e mazhorancës, duke deklaruar se sipas tij ata shmangën përballjen me protestuesit.
Aktivistja Sidorela Vatnikaj tha nga podiumi se protestuesit janë paqësorë dhe kundërshtoi mënyrën e ndërhyrjes së policisë ndaj disa qytetarëve. Ajo deklaroi se kërkesa e tyre lidhet me largimin e qeverisë dhe ndryshimin e mënyrës së drejtimit të vendit.
Një tjetër aktiviste ngriti kritika ndaj policisë dhe opozitës, duke deklaruar se sipas saj reagimi ndaj situatave të tensionuara nuk ka qenë ai i duhuri. Ajo tha se protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kësaj klase politike dhe një ndryshim në vend.
Gjatë protestës pati edhe një moment tensioni brenda turmës, ku një grua hyri mes protestuesve dhe nisi një debat me disa prej tyre. Arsyeja e përplasjes verbale nuk është bërë e ditur, ndërsa situata shkaktoi irritim te disa pjesëmarrës. Organizatori Edison Lika mori mikrofonin dhe u bëri thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të mos provokohen.
Në protestë foli edhe eksperti i IT-së, Gent Progni, i cili komentoi incidentin me vezët gjatë zhvillimeve para Kuvendit. Ai deklaroi se vezët nuk ishin hedhur ndaj policisë, por ndaj automjetit të deputetit Erion Braçe, duke e lidhur këtë me kundërshtitë e tij ndaj disa premtimeve të bëra gjatë fushatave elektorale.
Një qytetare shqiptare që jeton prej vitesh në Greqi u shpreh se protesta lidhet me pakënaqësitë e qytetarëve dhe kërkoi dorëheqjen e kryeministrit. Ajo tha se shqiptarët janë mbledhur për një ndryshim dhe për një të ardhme më të mirë në vend.
Gjatë protestës kanë mbajtur fjalime edhe disa aktivistë, protestues, mjekë dhe qytetarë të tjerë pjesëmarrës, të cilët kanë përcjellë mesazhet dhe qëndrimet e tyre para turmës.
Në fund të fjalimeve, organizatorët pritet t’u drejtohen protestuesve për të vijuar me marshimin në rrugët e Tiranës.
Ata kanë theksuar se kërkesa e tyre kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe se mobilizimi do të vazhdojë deri në arritjen e këtij objektivi.
Gjithashtu, organizatorët kanë paralajmëruar një tjetër aksion për ditën e nesërme, ku sipas tyre në orën 10:00 do të paraqiten pranë Prokurorisë së Posaçme (SPAK), për të dorëzuar një material që ata e konsiderojnë të rëndësishëm për hetime.