AKTUALITET, 30 Qershor 2026, 20:41

Koçiu: Dhuna jashtë Kuvendit e papranueshme, skenarët për destabilizim nuk do të marrin peng jetën publike

Koçiu: Dhuna jashtë Kuvendit e papranueshme, skenarët për

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar lidhur me incidentet e raportuara jashtë Kuvendit, duke dënuar dhunën verbale dhe fizike të shfaqur gjatë protestës së sotme.

Koçiu e ka cilësuar sjelljen e protestuesve si të papranueshme dhe jashtë çdo kornize demokratike, duke theksuar se akte të tilla agresive nuk i shërbejnë as protestës dhe as përfaqësimit të qytetarëve.

“Dhuna verbale dhe fizike e shfaqur sot jashtë Kuvendit është e papranueshme dhe jashtë çdo kornize demokratike. Sjellje të tilla agresive nuk i bëjnë nder as protestës dhe as kujtdo që pretendon të përfaqësojë qytetarët e këtij vendi”, shkroi Koçiu në një postim në rrjetet sociale.

Sipas saj, skenarët për destabilizim dhe kaos të orkestruar nga një grup i vogël individësh që vendosin agjendat e tyre politike mbi interesin e vendit, nuk mund të ndikojnë në jetën publike dhe politike në Shqipëri.

“Skenarët për destabilizim dhe kaos, të orkestruar nga një grup i vogël njerëzish që i vendosin agjendat e tyre politike mbi interesin e vendit, nuk mund dhe nuk do ta marrin kurrë peng jetën publike dhe politike të Shqipërisë”, theksoi ajo.

Koçiu shtoi se përpjekje të tilla do të dështojnë, duke theksuar se qytetarët zgjedhin rrugën e zhvillimit dhe procesin e integrimit europian.

“Këto tentativa do të dështojnë gjithmonë, ashtu siç kanë dështuar edhe në të kaluarën, duke u lënë njollën e turpit dhunuesve dhe braktisjen e qytetarëve, të cilët sot, më shumë se kurrë, zgjedhin rrugën e zhvillimit dhe të anëtarësimit në Bashkimin Europian”, u shpreh Koçiu në reagimin e saj.