TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Shqipëria ka më shumë nevojë për njësi bashkiake sesa ka aktualisht. Ky është konkluzioni që ka nxjerrë deri më tani bashkëkryetarja e Partisë Demokratike në Komisionin e reformës Territoriale, Dhurata Çupi.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Çupi tha se nga të gjitha ekspertizat rezulton se shërbimet publike janë larguar nga qytetari.
“Nga dëgjesat e bëra në mbledhjet e komisionit javën e shkuar, askush nuk thotë që kjo reformë po shkon mirë. Ka problematika sa i takon shërbimit ndaj qytetarëve, marrjes së shërbimeve në bashki të ndryshme jo në mënyrë të barabartë. Sepse shërbimin publik duhet ta marrë njësoj si qytetari i Tiranës dhe i Tropojës apo ndonjë bashkie tjetër. Në 2014 ka pasur një vendim mbi kriteret e vendosura. Por rezulton se këto kritere s’janë zbatuar. Një ndër pikat ishin që bashkitë duhet të jenë në vazhdimësi territori dhe të mos krijohen ishuj mes dy njësive. Në fakt, Bashkia e Tiranës ka kaluar Paskuqanin dhe ka marrë Zall Herrin. Edhe eficienca financiare ka problematika. Bashkitë s’kanë eficiencë, janë poshtë 50% të mbledhjes së të ardhurave”, tha Çupi.
Në vijim Çupi u shpreh se ekspertët e PD-së në komisionin e posaçëm po përgatisin një draft ku përfshihen jo vetëm ndarja kufitare e njësive bashkiake, por edhe kompetencat. Ndërkohë, garantoi se do të bashkëpunojë edhe me grupin tjetër demokrat, në mënyrë që siç tha ajo të mbrohen interesat e qytetarëve dhe të opozitës e për të pasur një produkt konsensual.
“Sapo është miratuar komisioni i posaçëm, kam kontaktuar edhe me përfaqësues të pjesës tjetër të PD-së dhe mendoj se do gjejmë gjuhën e përbashkët. Unë jo vetëm do jem e gatshme të bashkëpunoj me aktorët e opozitës, kam kontaktuar madje edhe me përfaqësuesen e LSI. Unë garantoj që do mbroj interesin e opozitës. Do të bëj çmos të mbroj interesat e opozitës dhe të bashkëpunojmë me çdo përfaqësues të opozitës që të mbrojmë interesat e qytetarëve për një reformë të gjithëpranuar dhe interesat elektorale të opozitës. Dua t’ju them që nga dy ekspertët e marrë nga PD në komision, z. Haxhimali ka qenë edhe në tryezën që është organizuar nga grupi tjetër i yni”, tha Çupi.
Sakaq, masivitetin e pjesëmarrjes në protestë, përveç mesazhit që qytetarët dhanë për qeverinë, ajo e sheh edhe si një mesazh për opozitën që duhet të jetë në lartësinë që e kërkon detyra. Ajo tha se demokratët në bazë janë të bashkuar, por Grupi i PD nuk është, ndaj ata që sipas saj kanë marrë përsipër rolin e liderit të gjejnë formulën e bashkimit.
“Protesta ishte e madhe, ishte thirrur për të protestuar kundër qeverisë dhe Kryeministrit dhe revolta ishte e madhe, këtë e dëshmoi pjesëmarrja. Në protestë ishin demokratët, shoqëria civile dhe qytetarët e thjeshtë. Ata ia dhanë mesazhin e qartë kësaj maxhorance se ka humbur mbështetjen politike. Kriza e çmimeve, korrupsioni i lartë, abuzimi me koncesionet dhe pafund arsye të tjera bënë që qytetarët të ngrihen kundër kësaj qeverie. Protesta ishte edhe një mesazh për opozitën.
Qytetarët kanë nevojë për alternativë. Vetë demokratët në bazë janë të bashkuar kundër qeverisë. Ne në Grupin Parlamentar nuk jemi në fakt. Ajo që duhet të bëjmë ne, siç e kam thënë që nga fillimi është që ne nuk duhet të përçahemi, por të bashkohemi. Ne duhet të jemi të gjithë bashkë për të maksimalizuar forcat kundër kësaj qeverie të korruptuar. Formulën sesi duhet të bashkohemi, besoj duhet ta gjejnë ata që kanë marrë përsipër të jenë liderë të PD-së. Unë jam një nga anëtarët e grupit të PD-së që do bëj opozitë vetëm kundër qeverisë, duke bashkuar forcat pa përjashtuar as demokratin më të thjeshtë”, tha Çupi.
Ndërkohë, duke u ndalur te bojkoti i avokatëve, Çupi u shpreh se vendimi për hartën gjyqësore është marrë në mënyrë të njëanshme pa u konsultuar me organet përkatëse.
“Kemi rreth një muaj që qytetarët nuk përfaqësohen nga mbrojtësi ligjor në seancat gjyqësore për shkak të një bojkoti të avokatëve, pasi vendimi për hartën gjyqësore nuk është konsultuar me ta. Ndërkohë, nesër do kemi edhe seancën dëgjimore. Javën e kaluar unë e ringrita shqetësimin për ta bërë seancën dëgjimore pasi e kishim kërkuar prej 3 javësh. Por na u tha se Ministria e Drejtësisë dhe e Financave dhe KLP duhet të njiheshin me materialin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, që kërkonte këtë hartë të re. Pretendimet nga maxhoranca ishin se ka pasur vetëm një material nga KLGJ dhe ministritë nuk ishin njohur me të para se të merrej vendimi”, tha nënkryetarja e Komisionit të Ligjeve.