AKTUALITET, 12 Korrik 2022, 17:26

Afera e inceneratorëve, Ulsi Manja i përgjigjet Presidentit: Diçka tjetër ia prish gjumin Ilir Metës

Afera e inceneratorëve, Ulsi Manja i përgjigjet Presidentit:

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka reaguar pas deklaratave të Presidentit, Ilir Meta në lidhje me aferën e inceneratorëve.

Në një postim në rrejtët sociale, Manja shkruan se Meta vazhdon të ndotë dynjanë “ndërkohë që emrat e të vdekurve me të cilët ai luan për të ulëritur, janë nxjerrë nga dosjet e çuara në prokurori prej vitesh nga hetimi tatimor!”

Sipas Manjës, diçka tjetër ia prish gjumin presidentit, Ilir Meta.

“Ulëritëse është që Ilir Meta vazhdon ndot dynjanë, ndërkohë që emrat e të vdekurve me të cilët ai luan për të ulëritur, janë nxjerrë nga dosjet e çuara në prokurori prej vitesh nga hetimi tatimor! Po diçka tjetër ia prish gjumin Ilir Metës, dhe nuk ka faj i shkreti…”, shkruan Manja në Facebook.

Më herët gjatë ditës, përmes një deklarate për media nga institucioni i Presidencës, kreu i shtetit tha se ditën e djeshme u zbulua dhe një rast tjetër skandaloz në lidhje me inceneratorët, ku transaksione prej 5 deri në 6 milionë euro ishin kryer në emër të një gruaje që ka ndërruar jetë 5 vite më parë.

Meta i kritikoi institucionet për qëndrimin në raport me këtë aferë duke ngritur pikëpyetje mbi sistemin bankar që pranon firma nga njerëz që nuk jetojnë.