AKTUALITET, 20 Janar 2023, 21:33

Dalin pamjet e operacionit, si u kap 4.5 ton kokainë në anijen që transportonte kafe nga Amerika e Jugut drejt Spanjës. Në pranga edhe dy shqiptarë

Dalin pamjet e operacionit, si u kap 4.5 ton kokainë në anijen që

Një ngarkesë prej 4.5 ton kokainë është kapur nga autoritetet policore pranë ishujve Kanarie në Spanjë. Sasia e kokainës ishte fshehur brenda një anije me emrin “Blume” e cila udhëtonte drejt bregdetit spanjoll.

Në pranga kanë rënë 15 persona, prej të cilëve dy shqiptarë dhe 13 pakistanezë. Ankorimi i anijes ishte shumë i vështirë për shkak të situatës së vështirë atmosferike.

Policia spanjolle kishte marrë informacion nga qendra e inteligjencës kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar në lidhje me anijen ku po transportohej kokaina e cila vinte nga Amerika e Jugut drejt Spanjës.

Pas marrjes së informacionit zyra e mbikëqyrjes doganore ngriti një operacion ajror-detar për të bërë të mundur kapjen e saj. Anija e mallrave u konstatua të afrohej pranë brigjeve spanjolle mëngjesin e 18 Janarit.

Anëtarët e ekuipazhit i thanë policisë se po transportonin 200 tonë kafe, ngarkesë e cila ishte e deklaruar. Ajo përbënte një sasi shumë të vogël se sa mund të mbante anija në të vërtetë e cila kishte përmasa të mëdha. Kjo bëri që policia të dyshojë dhe të ushtrojë kontroll brenda saj.

Gjatë kontrollit u konstatuan një numër i madh paketimesh që përdoren për trafik kokaine. Mediat vendase kanë publikuar edhe pamjet nga operacioni në anijen e mallrave, e cila u transferua në portin e Santa Cruz de Tenerife.