AKTUALITET, 20 Nëntor 2022, 11:33

Dalin nga shtrati lumenjtë në të gjithë qarkun e Shkodrës, 15 turistë bllokohen në Theth

Dalin nga shtrati lumenjtë në të gjithë qarkun e

Për shkak të motit të keq, 15 turistë kanë mbetur të bllokuar në Theth pasi rruga ku po udhëtonin u dëmtua. Moti i keq ka lënë probleme dhe në disa zona të qarkut të Shkodrës. 

Në Fushën e Muriqanit, Njësia Administrative Ana e Malit, përrenjtë kanë dalë nga shtrati duke përmbytur një sipërfaqe prej 400 hektarësh. Nga shtrati ka dalë dhe përroi i quajtur Glinë dhe lumi Gjadër, të cilët kanë dëmtuar rrugët e lagjeve dhe infrastukturën në Qytetin e Vaut të Dejës.

Reshjet e shiut vijojnë dhe në bashkinë e Malësisë së Madhe, ku përroi i thatë në fshatin Kamicë ka dalë nga shtrati. Në Bajze ujërat kanë depërtuar në 2 banesa, të shtetasve Mark Qosja dhe Asllan Culaj, ku mjetet e MNZSH-së kanë punuar për thithjen e ujit me pompa.

Situata në vend është problematike nga reshjet intensive të shiut. Shkodra, Lezha, Durrësi dhe qarqet në veri të vendit janë shfaqur më problematike pas përkeqësimit të motit.