AKTUALITET, 20 Nëntor 2022, 09:29

“Skënder Gjinushi më përjashtoi nga konferenca”/ Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës kundër Ledi Shamkut: Nuk ka patur shkresë ndërhyrëse

“Skënder Gjinushi më përjashtoi nga konferenca”/
Gjuhëtarja Shkreli dhe kreu i Akademisë, Gjinushi

Dy ditë më parë studiuesja Ledi Shamku akuzoi Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe kryesinë e saj se kishte ndërhyrë për përjashtimin e saj si pjesëmarrëse në konferencën "Shqipja standarde sot" që u mbajt dje nga dy akademitë, në Prishtinë.

"Këto dy ditë kam qenë në Prishtinë, në Konferencën Studimore Gjuhësore për Drejtshkrimin, të organizuar nga Akademia e Kosovës, me pjesëmarrjen edhe të Akademizmës së Shkencizmës.
Qe një konferencë e planifikuar qysh në verë. Kam marrë qysh heret ftesë personale nga kolegët e mij të Prishtinës, ftesë që më ka gëzu fort. Si albaniste e sociolinguiste, kjo është puna ime e përditshme e pasioni im i përjetshëm. Ndaj lumturisht pranova ftesën dhe qysh në korrik çova temën dhe abstraktin. Tema u pranua dhe qeshë pjesë e programit të punimeve. Si gjuhetare!
Kur mbërrita pardje në Prishtine, mes kolegësh atje, mësova çka po ju them, dhe po e them me përgjegjësi personale!
Sovjeti Gjinushi dhe Shkencizma e tij e Caruanas, para një jave i KISHIN DERGUAR NJE SHKRESË ULTIMATUM AKADEMISE SE KOSOVES KU I KERKONIN QE TE ME PERJASHTONIN MUA NGA PUNIMET E KONFERENCES. MADJE I KISHIN VENE VETON: PO ERDHI LEDI SHAMKU, NEVE NUK VIJME. PERJASHTONI ATE QE TE VIJME NE"-shkroi Shkreli-Shamku, mes të tjerave.

Këshilli organizativ i konferencës "Shqipja standarde sot" reagoi me një deklaratë, duke rrëzuar pretendimin e studiueses Ledi Shamku për ndërhyrje nga Akademia e Shqipërisë për përjashtimin e saj nga kjo konferencë.

“Nëpër rrjete sociale kemi vërejtur, me shqetësim, diskutime që aludonin për tendenca përjashtimi të ndonjë studiuesi nga Konferenca shkencore ‘Shqipja standarde sot’, mbajtur më 17 nëntor në Prishtinë, organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në shënim të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit.

Si Këshill Organizativ njoftojmë opinionin se, ndërsa, si gjithmonë, ka pasur rrahje mendimesh brenda Këshillit Organizues për parimet e përgjithshme të kritereve të pranimit të kandidatëve, që do të paraqiteshin me punime në konferencë, nuk ka pasur asnjëherë ndërhyrje nga Akademia e Kosovës apo nga Akademia e Shqipërisë në punën e Këshillit. Pra, nuk ka pasur shkresë ndërhyrëse drejtuar organizatorëve, siç pretendohet.

Si Këshill Organizativ kemi punuar shumë për mbarëvajtjen e konferencës dhe kujtojmë se kemi arritur të organizojmë një konferencë shumë të suksesshme, me rezultate të rëndësishme për shqipen standarde sot.

Prandaj, konsiderojmë se është për keqardhje që një tubim i tillë të vihet në hije të një diskutimi të këtillë të parëndësishëm, ta pandershëm dhe, për më tepër, të mbështetur në pohime të pavërteta”, thuhet në reagim.