AKTUALITET, 18 Janar 2024, 17:26

Burgu i Drenovës i mbipopulluar, avokati: Vuajnë dënimin mbi 460 të burgosur

Burgu i Drenovës i mbipopulluar, avokati: Vuajnë dënimin mbi 460

Mbipopullohet burgu i Drenovës. Nga 380 i cili është numri i kapacitetit në këtë institucion, tanimë janë 465 të burgosur të cilët vuajnë dënimin në këtë burg apo ndodhen edhe në paraburgim.

“Numri i të burgosurve është 465 ndërkohë që kapaciteti i cili është ndryshuar se fundmi, sepse kapaciteti normal ka qenë 345 të burgosur e është shtuar numri i shtretërve duke kaluar në 380, çka tregon se ky burg është i mbipopulluar”, -tha avokati Esmerald Xhafa. Por pse ky mbipopullim në burgun e sigurisë së lartë në juglindje të vendit? Sipas avokatit Esmerald Xhafa janë 3 arsyet kryesore.

“E para është politika e gjykatave të cilat kanë prirje të caktojnë masën e sigurisë arrest me burg, e cila është mase ekstreme kur çdo masë tjetër nuk është e mundur. E dyta politika penale përsa i përket dënimit, aplikojnë vetëm dënimin me burgim, jo punën ne publik. Faktor tjetër është prej më shumë se 7 vitesh ne gjykatat shqiptare nuk është më mbikëqyrja elektronike”, -pohoi avokati Esmerald Xhafa.

Amnistia e përgjithshme sipas avokatit ul numrin e të dënuarve në burgun e Drenovës, shumë më tepër në dhomat e paraburgimit. “Faktori kryesor është mosdhënia e amnistisë e cila ka vite që flitet që do jepet, dhe sot nuk është miratuar sot edhe pse nga ministria i drejtësisë reklamohet por përsëri nuk ka. Është një sjellje negative me personat e burgosur”, tha avokati. Burgu i sigurisë së lartë në Drenovë është i vetmi institucion i vuajtjes së dënimit në juglindje të vendit, ndërkohë që pritet të hapet zyrtarisht dhe burgu i Pojskës.