AKTUALITET, 23 Korrik 2024, 20:43

Berisha: Veliaj qëndronte dje në karrigen e turpit, i veshur me antiplumb dhe kishte përgatitur një skenar përgjakje

Berisha: Veliaj qëndronte dje në karrigen e turpit, i veshur me

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka mbajtur fjalimin e tij sot para mbështetësve të mbledhur poshtë banesës. Berisha foli lidhur me foton e djeshme ku shfaqej kreu i bashkisë Tiranë Erion Veliaj me antiplumb në Këshillin Bashkiak.

Sipas Berishës, Veliaj qëndronte i veshur me antiplumb në karrigen e turpit dhe se kishte përgatitur një skenar përgjakje. Më tej Berisha thotë se akti i djeshëm do i shtohet krimeve të Veliajt, dhe se ky i fundit do të marrë përgjigjen e rëndë ligjore.

Fjala e plotë:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta.

Mirënjohjen më të pakufishme dhe nderimin më të madh për ju guximtare dhe guximtarë, misionare e misionarë të pamposhtur të kauzës së drejtë të shqiptarëve.

Të dashur miq, meritoni një përshëndetje të jashtëzakonshme sepse siç e patë, me protestën tuaj tek bashkia, e ndrytë në antiplumb dhe qeramikë Erion Hajdutin, Erion Veliajn.

Ai dje qëndronte në karrigen e turpit, i veshur me antiplumb dhe kishte përgatitur një skenar pse jo përgjakje të parlamentit të Tiranës.

Unë e garantoj Erion Veliajn se akti i tij i djeshëm do t’i shtohet serialit të krimeve të tij të shëmtuara dhe do marrë përgjigjen më të rëndë ligjore.

Por para saj do të marrë përgjigjen më të rëndë tuajën, përgjigjen më të rëndë popullore.