AKTUALITET, 25 Shkurt 2024, 19:19

Berisha: S'ka formë vjedhje që Rama nuk e aplikon mbi shqiptarët, punonjësit e Veliajt tregtojnë skeletet e foshnjave

Berisha: S'ka formë vjedhje që Rama nuk e aplikon mbi

Kryedemokrati Sali Berisha, ka akuzuar sërish sonte Edi Ramën se po aplikon mbi shqiptarët çdo formë të mundshme vjedhjeje. Duke u ndalur te skandali i publikuar në media për skeletet e zhvarrosura që mbahen në kuti dhe thasë mbeturinash, Berisha theksoi se punonjësit e bashkisë së Erion Veliajt tregtojnë eshtrat dhe skeletet e foshnjave.

Pjesë nga fjala e Berishës

Përsëri denoncoj vendimin e Gjykatës së Lartë si një vendim stalinist, si një vendim turpi, si një vendim njerëzish të marrë peng për vjedhjet e tyre, pasuritë e tyre.
Pasi Gjykata e të Drejtave të Njeriut të OKB-së, i denoncoi qëndrimet ndaj gazetarit, tre gjykatës nën presionin e Edi Ramës, nëpërmjet hanxharit të tij Dumani, vendosin të kundërtën, firmosin të kundërtën e asaj që kanë firmosur një vit më parë.
Hanxharë të fjalës së lirë dhe lirisë së medieve.
Çdo natë këtu denonconi me guxim vjedhjet e tmerrshme që u bëhen qytetarëve shqiptarë.
Ju e dëgjuat, thatë këtu se shqiptarët në vitin 2023 paguan 700 milionë euro taksa më shumë.
Të dashur qytetarë, a e dini sa janë 700 mln euro?
Ua them unë.
700 mln euro janë fiks rroga 100 për qind më të larta për të gjithë punonjësit në Shqipëri.
700 mln euro është fondi i pagave në Republikën e Shqipërisë.
Mos harroni se këto janë vetëm shtesë, sepse në 10 vite nga taksat tuaja janë investuar gjoja 11 miliardë euro.
Po ku janë, ku kanë shkuar, çfarë kanë ndërtuar?
Rrugë që shemben, shkolla me çmime të 5-10 fishta, rrugë që i shtrojnë me bukë peshku. Nuk ka formë vjedhje që Edi Rama nuk e aplikon mbi shqiptarët.
Cilido që ka lexuar apo parë filmin ‘Të Mjerët’, i kujtohet aty një personazh, një rreshter, që quhej Talardje. Në fushëbetejë ai vidhte të plagosurit dhe të vdekurit. U hiqte orët, unazat dhe gjërat e çmuara.
Po punonjësit e bashkisë së Erion Veliajt që tregtojnë eshtrat, skeletet e foshnjave.
A ka më faqezi se ata mbi tokë, a ka turp më të madh se të kesh një kryetar të tillë bashkie.
A ka turp më të madh dhe krim më të shëmtuar se tregtia me varret e fëmijëve. A kanë fëmijë këta, a kanë njerëz këta. Këta i ka tjetërsuar vjedhja, këta i përkasin krimit dhe vetëm krimit.
Këta nuk janë më qenie njerëzore, nuk kanë dinjitet, janë skllevër të krimeve të tyre, duhet ti largojmë një orë e më parë nga pushteti.