TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Gjatë një takimi elektoral në Peqin, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, prezantoi disa nga pikat kryesore të programit të PD, me theks të veçantë te bujqësia, pensionistët, shëndetësia dhe biznesi. Ai theksoi se me ardhjen e PD në qeveri, do të ndodhë një ndryshim i thellë ekonomik dhe social në vend.
“Subvencionet për bujqësinë do t’i pesëfishojmë,” u shpreh Berisha, duke shtuar se “do mbështesim çdo fidan, çdo bagëti, çdo njësi prodhimi, pa asnjë kufizim mbi sipërfaqe apo numër.” Ai kritikoi qeverinë aktuale për fondet e pamjaftueshme që ka ndarë për fermerët, ndonëse ata kontribuojnë ndjeshëm në ekonominë kombëtare dhe punësojnë qindra mijëra qytetarë.
Ndër masat sociale të propozuara nga PD është edhe karta e konsumatorit për pensionistët dhe shtresat në nevojë, e cila, sipas Berishës, do të sjellë ulje çmimesh për ushqimet bazë. “Pensionistët dhe rrogëulëtit do kenë kartën e konsumatorit, me të cilën do blejnë bukën, sheqerin, vajin, mishin dhe vezët 20 për qind më lirë,” deklaroi ai, duke shtuar se kjo masë do të sjellë një kursim prej “rreth 450 eurosh në vit për çdo përfitues.”
Në fushën e shëndetësisë, Berisha e cilësoi situatën aktuale si dramatike, duke e akuzuar qeverinë për mungesë ilaçesh dhe korrupsion në sistemin e prokurimeve. “Spitalet tona janë kthyer në vende ku pacientët braktisen pa ilaçe. Kjo është krim kundër njerëzimit,” tha ai. Në këtë drejtim, ai premtoi rimbursim të plotë të barnave bazë, sipas listës që mbulon aktualisht shteti italian. “Shqiptarët do kenë të rimbursuar 100 përqind listën e barnave që rimburson republika italiane,” theksoi Berisha.
Një pjesë e rëndësishme e fjalës së tij iu kushtua biznesit dhe lehtësimeve fiskale. Ai premtoi ulje të ndjeshme të taksave, duke thënë se “Shqipëria do bëhet vendi me taksat më të ulëta në Europë.” Tatimi mbi fitimin, sipas tij, do zbresë në 10 për qind, TVSH-ja në 15 për qind, ndërsa energjia për bizneset e vogla do shitet me vetëm 6 lekë për kWh. “Energjia për bizneset e vogla do kushtojë vetëm 6 lekë. Biznesi do rilindë,” deklaroi ai.
Gjithashtu, PD angazhohet që shteti të paguajë sigurimet shoqërore për çdo të ri që punësohet për herë të parë gjatë vitit të parë të punës. Berisha e përmbylli fjalën e tij me një thirrje për ndryshim: “Vota më 11 maj është një votë për shëndetin, dinjitetin dhe xhepin tuaj.”