AKTUALITET, 10 Shkurt 2026, 20:51

Berisha: Gjykatësit në Hagë të shpallin të pafajshëm ish-udhëheqësit e UÇK-së

Berisha: Gjykatësit në Hagë të shpallin të

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalimit të tij në protestën e zhvilluar sot para Kryeministrisë, reagoi lidhur me pretencën e paraqitur nga Prokuroria në Hagë ndaj katër udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, në Gjykatën Speciale me seli në Hagë.

Berisha e cilësuar atë si të njëjtë me “pamfletet dhe propagandën ultranacionaliste serbe”. Berisha u bëri thirrje gjykatësve që të vendosin mbi bazën e ligjit.

“Dje në Hagë, prokuroria paraqiti një pretencë kundër ish-udhëheqjes politike të Kosovës, identike me pamflete e propagandës së verbër ultranacionaliste serbe. Nga kjo platformë, në emër tuaj, i shpreh besimin e plotë gjykatësve, u bëj thirrje të vlerësojnë gjithçka mbi bazën e ligjit.

“Të shpallin pafajësinë e atyre burrave që me guxim dhe heroizëm mbrojtën dhjetëra mijëra shqiptarë nga gjenocidi më i egër, gjenocidi serb”, u shpreh ai.

Prokuroria ka kërkuar dënim prej 45 vjetësh burg për secilin nga të akuzuarit, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë periudhës mars 1998 – shtator 1999, në disa zona të Kosovës dhe veriun e Shqipërisë. Të katër janë deklaruar të pafajshëm.

Pas deklaratave përmbyllëse, çështja do t’i kalojë trupit gjykues, i cili ka afat tre muaj për të marrë vendim, me mundësinë e zgjatjes së këtij afati.