TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Gjykata e Posaçme rrëzoi një kërkesë të Fredi Belerit, i cili kërkoi të shkojë të martën përpara Këshillit Bashkiak e të betohet si kryetar i Himarës. Por duket se bashkë me gjykatën, derën kryetarit të zgjedhur ia mbylli edhe Drejtoria e Burgjeve. Kjo e fundit tha se lejet e posaçme, sipas ligjit i marrin ata që kanë vdekje apo dasma e të familjarëve të ngushtë, ose kur duhet të japin provime, dhe se nuk është e lejuar për rastin e Belerit.
Kërkesa për të dalë disa orë nga burgu për t’u betuar për marrjen e detyrës, u konsiderua nga Drejtoria e Burgjeve, si përtej ligjit. Por opozita dhe Beleri, nuk janë dorëzuar. Ata do të vijojnë përpjekjet për të realizuar betimit, si duke ankimuar vendimin, duke kërkuar një datë tjetër betimi, apo duke kërkuar të përdoret betimi online, përmes platformës Skype që burgjet disponojnë si mundësi e përjavshme komunikimi e të burgosurve me familjet.
Ligji nuk parashikon ndonjë zgjidhje se çfarë ndodh nëse kryetari i zgjedhur dëshiron të betohet e nuk e ka të mundur. E vetmja e dhënë në ligj, është se kryebashkiakut në detyrë i përfundon mandati ditën kur betohet kryebashkiaku i ri. Për sa kohë, Fredi Beleri do ta ketë të pamundur të betohet, bashkia Himarë do të drejtohet nga kryebashkiaku i vjetër, Jorgo Goro. Një skenar jo i panjohur ky.
Voltana Ademi në Shkodër, qëndroi në zyrë më shumë se 3 vjet përtej mandatit, vetëm sepse Valdrin Pjetri nuk bëri betimin prej dekriminalizimit. Kjo periudhë mund të vazhdojë deri në dënimin e Fredi Belerit me vendim të formës së prerë, shkarkimin e mundshëm të tij nga qeveria, ose, siç ka më pak gjasa të ndodhë, lirimin e tij.