AKTUALITET, 5 Mars 2024, 21:34

Dënimi me dy vite burg i Fredi Belerit, Marin Suli: Do ta çojmë deri në Strasburg! Gjykata mohoi aktet e ekspertimit

Dënimi me dy vite burg i Fredi Belerit, Marin Suli: Do ta çojmë

Sekretari i OMONIA-s, Marin Suli ka paralajmëruar se vendimin e GJKKO për ta dënuar me dy vite burg Fredi Belerin do ta çojnë deri në Strasburg, pasi sipas tij gjykatat në Shqipëri janë me regji.

I ftuar në studion e “Open” në News24 Suli ka thënë se ky vendim ishte i pritshëm për shkak të mënyrës si u trajtua situata.

Suli u shpreh se Belerit i është mohuar e drejta për të kërkuar akte ekspertimi, ndërsa tha se ai ishte mbi 4 kilometra larg të infiltruarit në momentin e pretenduar.

“Vendimi ishte i pritshëm për shkak të situatës që ndodhi kur kryeministri i vendit linçon një kandidat, nga rrëmbimi i kandidatit tek gjyqi i njëanshëm dhe pothuajse në kushtet e një terrori për një mbrojtje ligjore në vitin 2023-2024.

Zotit Beleri gjatë gjithë gjykimit iu mohua e drejta për të bërë kërkesa, për të bërë akte ekspertimi, iu mohua e drejta për të marrë informacion. Një skandal është edhe fakti që janë dhënë tabulatet telefonike të Belerit dhe të infiltruarit vetëm në 30 janar.

Tabulatet janë e vetmja provë shkencore, që ne dhe do ti vërtetojmë gjykatave që do të vijnë më pas, edhe Strasburgut se besoj do të vemi, sepse këtu gjykatat janë me regji politik, është e vetmja provë shkencore që vërteton se Beleri në momentin e prezumimit të asaj bisede që nuk ekziston ka qenë 4 kilometra larg këtij të infiltruar.

Tabulatet telefonike vërtetojnë që edhe polici ka ardhur ka gënjyer bashkë me të infiltruarin. Është një çmenduri juridike”, tha Suli.