AKTUALITET, 6 Dhjetor 2025, 13:57

"Baza e Farkës, simbol i ringritjes së ushtrisë shqiptare", Vengu: 5 pilotë të rinj i bashkohen Forcës Ajrore

"Baza e Farkës, simbol i ringritjes së ushtrisë

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu ishte sot në Bazën Ajrore e Farkës, në 58-vjetorin e krijimit të saj.

Vengu e vlerësoi Bazën Ajrore e Farkës si simbol të profesionalizmit të Forcës së Armatosur, dhe sot një simbol të ringritjes së ushtrisë shqiptare.

Ministri i Mbrojtjes përshëndeti po ashtu certifikimin e 5 pilotëve të rinj që i bashkohen kësaj baze ajrore.

“Në këtë moment kuptimplotë për angazhimin tonë në forcimin e burimeve njerëzore dhe kapaciteteve, Forcës Ajrore i bashkohen 5 pilotë të rinj. Qiej të pastër, Alida, Adea, Klei, Mikel, Bruno dhe përfaqësojeni me krenari flamurin që mbani në krah”, u shpreh Vengu.

Baza ajrore e Farkës është krijuar në 6 dhjetor të vitit 1967. Ajo ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm duke ndihmuar popullatën në emergjenca civile, veçanërisht në rastet e përmbytjeve, bllokimeve nga bora në zonat malore, tërmeteve apo edhe në kohë krizash.

Kjo bazë gjithashtu ka ndihmuar në trajnime të ndryshme të Forcave Ajrore, ose ushtrime të përbashkëta me forcat e njësive të tjera të Forcave të Armatosura, duke treguar cilësi të lartë dhe nivel të trajnimit të fluturimit.

Për të kryer misionin e saj, personeli i kësaj baze trajnohet intensivisht për të mbajtur në gatishmëri të vazhdueshme teknikën e ajrit, për të kryer detyra të tilla si: transportimi i trupave, operacionet e kërkim-shpëtimit (SAR), shpërndarja e ndihmës ushqimore ose transportimi i pacientëve në emergjencave civile.

Në vitet e fundit infrastruktura bazës është përmirësuar ndjeshëm kryesisht për shkak të asistencës së ofruar nga ushtria italiane. Kjo bazë është një simbol i bashkëpunimit me aleatët tanë në ushtrime të përbashkëta, ku pjesëmarrësit kanë treguar dinjitet dhe profesionalizëm për të koordinuar veprimet për të përmbushur misionin.