TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis gjatë një intervistë ditën e sotme ka folur për zgjedhjet në vendin e tij, ndikimin e zgjedhjeve në Turqi dhe marrëdhëniet me Shqipërinë pas arrestimit të Fredi Belerit nga autoritet shqiptare.
Ai e cilësoi të papranueshëm arrestimin e kandidatit për kryebashkiak të Himarës, dhe paralajmëroi me tone të ashpra se do të ketë pasoja të rëndësishme në marrëdhëniet greko-shqiptare, për sa kohë që ky qëndrim nga Tirana do të vazhdojë.
Në një intervistë për mediat greke Mitsotakis thotë se Greqia “nuk do të tolerojë një sjellje të tillë në kurriz të pakicës kombëtare greke në Shqipëri”
“Është e papranueshme. Është e pamendueshme që ai të futet në burg dy ditë para zgjedhjeve”, theksoi kryeministri grek.
Ai bëri të ditur se Greqia do të mbetet gjithmonë mbështetëse e pakicës kombëtare greke dhe se i ka bërë të qartë kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, se “ në këtë çështje nuk pranojmë lëshime për shtetin e së drejtës” . Në fakt, ai paralajmëroi se nëse një politikë e tillë vazhdon, do të ndikojë në marrëdhëniet dypalëshe dhe në rrugën e Shqipërisë drejt Europës.
Fredi Beleri është akuzuar për blerjen e 8 votave për 40 mijë lekë dhe do të qëndrojë në masën e sigurisë “arrest në burg”, dhënë nga Gjykata e Vlorës, e cila pas vendimit shpalli moskompetencë dhe dosja hetimore tashmë kalon në SPAK. Në burg është lënë edhe Pandeli Kokaveshi i akuzuar si bashkëpunëtor i Belerit në blerjen e votave të qytetarëve në Himarë.
E pranishme në seancë ishte edhe ambasadorja greke në Tiranë, Konstantina Kamitsi. Beleri deklaroi se nuk ka lidhje me akuzën dhe tha para trupës gjykuese se në lokal, momentin kur u arrestua nga agjentët e policisë, ishte me të afërm të tij dhe se me lekët nuk kishin qëllim blerjen e votave.
Fredi Beleri u arrestua më 12 maj bashkë me truprojën e tij Panajot Kokoveshi, pasi një agjent i infiltruar i policisë, tha se përgjoi momentin kur bashkëpunëtorët e Belerit dhanë 40 mijë lekë për votat e 8 personave. Kartmonedhat u sekuestruan ndërsa pas arrestimit, disa qytetarë nga Himara thanë se Beleri u ka ofruar deri në 10 mijë lekë për votë, por ato nuk i kishin marrë.