AKTUALITET, 23 Gusht 2023, 11:56

Arrestimi i biznesmenit, Berisha: Pëllumb Gjoka është bos i fuqishëm, por Rama ka lejtnantë të tjerë të fortë

Arrestimi i biznesmenit, Berisha: Pëllumb Gjoka është bos i

Ish-kryeministri Sali Berisha zhvilloi sot tryezën me temë “Pushteti i Krimit”, ku foli edhe për arrestimin e biznesmenit Pëllumb Gjoka.

Berisha tha se kryeministri Edi Rama darkonte në hotelin e Pëllumb Gjokës dhe për shpërblim i shpallte hotelin si ‘hotel me 5 yje’.

Sipas Berishës, Gjoka është një bos i fuqishëm, por Rama ka lejtnantë e tij më të fortë.

“Në EncroChat janë 60 oficerë kryesorë policie, të gjithë në regjistrime në bashkëpunim të ngushtë me krimin. Hetimi i Encrochat ka gjetur se në Shqipëri, krimi dhe pushteti janë një, janë të shkrirë”, tha Berisha.

Ai i bëri thirrje shoqërisë shqiptare dhe opozitës për të reaguar, pasi vota po shndërrohet në krim dhe krimi po kthehet në votë.

“Shoqëria shqiptare ndodhet në prag të një vetëvrasje për shkak të krimit. Sot vendimmarrësi absolut në distancë në këtë vend është krimi, krimi dhe krimi.

Krimi sot i lartësuar në pushtet në nivel kryeministri është i aftë të kalojë në parlament çdo ligj. Është i aftë të marrë në qeveri çdo vendim, është i aftë të përcaktojë çdo tender, është i aftë të përcaktojë çdo emërim, është i aftë të nxjerrë çdo leje dhe licencë, është i aftë të eliminojë çdo kundërshtar.

Sot shqiptarët si kurrë në historinë e tyre që kur është themeluar shteti, ekonomia e tyre, fati i tyre është i tëri në duart e krimit.

Rezultat e regjistrimeve të SKY dhe encrochat etj kanë bërë autopsinë e këtij krimi, por ajo ka qenë e njohur për ne.

Nëse marrim Pëllumb Gjokën, baronin e drogës dhe të vrasjes, mikun e Ramës, qytetarët e thjeshtë  të gjitha ato, sigurisht nuk kanë kapur telefonatat që bënte me Behar Bajrin, por kanë ditur që vrau për të marrë tokë në Velipojë. Kanë ditur që shkelmoi vendime gjykate për të marrë pronën, kanë ditur që për një motel Edi Rama që drekonte dhe darkonte me të ja shpallte si hotel me 5 yje për ti dhënë se bashku me Olsin, licencën e kazinosë. Shqiptarët i kanë denoncuar këto.

Pëllumb Gjoka jo që nuk lëkundej në pozicionin e tij .Ai është një bos i fuqishëm por Edi Rama ka lejtnantë e tjerë më të fortë se Pëllumb Gjokën dhe vetë është në krye.

Pëllumb Gjoka merr titullin, shpërblimin e investitorit strategjik.

Shoqërua shqiptare duhet të reagojë, opozita shqiptare duhet të reagojë përndryshe është në një rreth fatal ku vota shndërrohet në krim dhe krimi në votë. Nuk ka për një komb hanxharë mbi qafën e tij më të mbrehtë dhe të rrezikshmen sesa këtë hanxhar”, tha Berisha.