AKTUALITET, 17 Shtator 2024, 22:23

"Arben Ahmetaj do jetë varri juaj, ua kam thënë”, Sula paralajmëron grevë urie: Është momenti për radikalizim

"Arben Ahmetaj do jetë varri juaj, ua kam thënë”, Sula

“E kam thënë në parlament që tmerri juaj do të jetë Arben Ahmetaj dhe inceneratori janë varri i hapur që do t’i përpijë të gjithë”. Kështu u shpreh deputeti demokrat Dashnor Sula në studion e  Debatit me Alba Alishanin në A2 CNN, sipas të cilit vjedhja, korrupsioni dhe arroganca e kësaj qeverisjeje është shumë i madh. Sipas Sulës parlamenti është shtojcë e republikës kryeministrore.

“Këto kanë humbur arsyen. Arroganca e tyre nuk ka kufij më. Është prish çdo lloj balance politike me krimin ekonomike me krimin e institucionet. këtu ka vetëm një qeveri, ne dhe parlamenti mos ju rrejë mendja që jemi republikë parlamentare. Jemi shtojcë e republikës kryeministrore nuk jemi republikë parlamentare. Nuk është vetëm sot edhe në kohën tonë kështu ka qenë, por është tjetër gjë të jesh hajdut xhepash që vjedh 1 mijë lekë dhe hajdut bankash.

Vjedhja e korrupsioni i tyre është kaq i madh. Nuk kishim dëgjuar kurrë që taksat e bashkisë i marrin vetë. Edhe taksat tuaja e tonat i marrin ata. E kuptoni ku kanë arritur këta? Berisha ka 12 vjet që ka ikur prapë ai e ka fajin? Ai Zagani nuk lënë gjë pa i bërë e futën në burg e internuan. Po ai Ahmetaj që po merr azil politik i joni ka qenë? E kam thënë në parlament që tmerri juaj do të jetë Arben Ahmetaj dhe inceneratori janë varri i hapur që do t’i përpijë të gjithë”.

Duke folur për çështjen Xhaçka, për të cilën socialistët do të kërkojnë mendimin e Komisionit të Venecias, Sula sjell në vëmendje në A2 debatin për imunitetin e Berishës dhe ngre pyetjen pse nuk iu drejtuan Venecias edhe për këtë çështje.

“Debati për imunitetin e Berishës edhe unë që jam këtu duhet të kalonte përmes komisionit të imunitetit dhe mandateve. A u pengua? Nuk tha parlamenti, këta që u dhimbset kushtetuta, të thoshin që këtu ka paqartësi dhe t’i drejtohemi Venecias. Kur është për opozitën nuk pyet për kushtetutën e shkel, kurse për interesat e tyre thonë jo se nuk e di; duhet të votoj apo jo”, tha Sula në A2.

Pas injorimit të kushtetueses nga parlamenti, Sula thotë se Kryetari i Gjykatës Kushtetuese ose e gjithë trupa duhet të jepte dorëheqjen.

“Nuk mund të shkelë Gjykatën Kushtetuese, procedura. Në momentin që gjykata gjen që nuk ka shkelje procedure, hyn në themel. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese duhet të jepte dorëheqjen. Nuk ka shtet ligjor dhe të së drejtës. Nëse nuk zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese mori fund kjo punë”.

Sula thekson se është momenti për të radikalizuar aksionin opozitar duke paralajmëruar grevë urie.

“Është shkallmuar mjeti i vetëm i parlamentit me ligjin për komisionet hetimore dhe e kam thënë që ne nuk duhet të kemi marrëveshje me mazhorancën, ne nuk duhet të hyjmë në parlament, por në ngujim e grevë urie. Ia vlen të vdesësh si burrat për demokracinë. Ajo që thashë atëherë duhet të bëhet tani. Është momenti për radikalizim, grevë urie e sakrificë sublime. Ka burra parlamenti. Unë jam i pari që hyj në grevë”.