AKTUALITET, 7 Prill 2026, 22:49

Anulohet zyrtarisht tenderi për portin në “Porto Romano”

Anulohet zyrtarisht tenderi për portin në “Porto Romano”

Është anuluar zyrtarisht tenderi për portin e ri tregtar në Porto Romano, pasi kompania e vetme e mbetur në garë, Achirodon, u tërhoq.

Archirodon, e cila ishte e vetmja që vijonte në garë në fazën përfundimtare të tenderit, nuk dorëzoi ofertën e saj financiare më 9 mars, tender i cili kishte një vlerë të përllogaritur prej rreth 400 milionë eurosh.

Në vendimin zyrtar janë renditur edhe arsyet e anulimit të tenderit, ku ndër të tjera thuhet se disa nga arsyet janë: në procedurat me faza nuk është dorëzuar asnjë kërkesë e përshtatshme; në procedurat me një fazë nuk është dorëzuar asnjë ofertë e përshtatshme; konstatohet se dokumentet e tenderit përmbajnë gabime ose mangësi të rëndësishme;, etj.

Po ashtu Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) po heton lidhur me procedurën e tenderit, pasi disa javë më parë, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit zbarkuan në zyrat e Autoritetit Portual Durrës dhe sekuestruan të gjithë dokumentacionin e garës për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano, më 23 shkurt.

Projekti i Porto Romanos u përballë me kritika dhe kundërshti nga Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe opozita për lidhjet e dyshimta me Rusinë. Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Tiranë, Grant Van Cleeve, adresoi një letër publike për Edi Ramën dhe titullarë të lartë qeveritarë, në lidhje me tenderin e Porto Romanos.

Van Cleeve e konsideroi këtë projekt si një vendim që merret një herë në 100 vjet dhe kërkon shtyrjen e garës, pasi sipas tij, projekti ekzistues i heq Shqipërisë shansin të jetë konkurruese në rajon.

Van Cleeve argumentoi se projekti aktual i portit është shumë i vogël, me rreth 400 metra mur moli dhe një sipërfaqe portuale prej 38 hektarësh, kapacitete që nuk mund të konkurrojnë me portet e mëdha rajonale.

Ai paralajmëroi se në këto kushte Korridori 8 mund të dështojë të zhvillohet si bosht i rëndësishëm logjistik lindje-perëndim, ndërsa flukset e mallrave do të vazhdojnë të përqendrohen në portet e Pireu dhe Selanik.

Sipas tij, një zhvillim strategjik i Porto Romanos duhet të synojë një port me ujëra të thella deri në 18 metra, me kapacitet mbi 2 milion TEU për kontejnerë, zona të mëdha logjistike dhe zona të lira tregtare, si dhe terminale për transport RoRo dhe energji, përfshirë edhe LNG nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në përfundim, ai kërkoi që tenderi i planifikuar për 9 mars të shtyhej dhe projekti të rishikohej në përputhje me kërkesat strategjike të Korridorit 8 dhe NATO-s. Sipas tij, projekti mund të zhvillohet brenda këtij viti me financim të përbashkët nga partnerë nga SHBA dhe Italia, si dhe me përfshirjen e kompanive inxhinierike nga SHBA, Italia, Holanda dhe Turqia.

 

Anulohet zyrtarisht tenderi për portin në “Porto Romano”