BALLKAN, 6 Dhjetor 2021, 19:22

Albin Kurti nesër në Bruksel, zbardhet axhenda

Albin Kurti nesër në Bruksel, zbardhet axhenda

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të shkojë nesër në Bruksel. Ai do të pritet nga Komisioneri për Zgjerim, Olivér Várhelyi.

Kurti do të marrë pjesë në Këshillin e Stabilizim Asociimit BE-Kosovë. Ky takim pritet të zhvillohet nga ora 11:30, sipas agjendës së publikuar nga Këshilli i Bashkimit Evropian.

Në këtë takim, që është i katërti i Këshillit të Stabilizim Asociimit do të shqyrtohet gjendja e marrëdhënieve ndërmjet BE-së dhe Kosovës. Pjesëmarrësit do të diskutojnë veçanërisht kriteret politike, kriteret ekonomike, bashkëpunimin financiar dhe zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Partnerët po ashtu do të kenë mundësi të shkëmbejnë mendime edhe për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.

Në fund të takimit, rreth orës 14:00, është paraparë të mbahet një konferencë për shtyp.

Radio Evropa e Lirë, ndërkohë, ka raportuar se gjatë kësaj vizite Kurti do të takojë zyrtarë të lartë evropianë, përfshirë shefin e diplomacisë, Josep Borrell.