AKTUALITET, 29 Shtator 2022, 10:34

Albania 1 dhe Albania 2 së shpejti në hapësirë, Peleshi: Sot do të nënshkruhet kontrata 6 milionë dollarë

Albania 1 dhe Albania 2 së shpejti në hapësirë, Peleshi: Sot

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka bërë me dije se ditën e sotme do të nënshkruhet kontrata 6 milion dollarëshe e shërbimit satelitor. Peleshi theksoi se Shqipëria po hyn në një fazë të re të digjitalizimit.

Peleshi: Sot do të nënshkruhet kontrata e shërbimit satelitor në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë për monitorimin me teknologji të avancuar të territorit të Shqipërisë nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Operatorit SateLogic SHBA. Kontrata ka vlerën 6 milionë dollarë.

Konsiston në përdorimin ekskluziv të dy satelitëve, fillimisht për një periudhë 3-vjeçare, për monitorimin e territorit të Shqipërisë, zhvillimin e kapaciteteve teknike, profesionale, për përdorimin e shërbimit satelitor, përpunimin e informacionit gjeohapësinor si dhe ofrimin e produkteve të imazherisë.

Shqipëria do të ketë akses prioritar  të dedikuar në dy satelitët që pritet t’i bashkohen flotës të SateLogic në lëshimin e saj të ardhshëm satelitor me Space X. Satelitët do të quhen Albania 1 dhe Albania 2.

Kjo do t’i mundësojë Shqipërisë marrjen e imazheve satelitore. Nuk e fillojmë nga zero. Është bërë një punë shumë e madhe deri tani. Kemi një agjenci e cila do të jetë e përfshirë në menaxhimin e imazheve për të gjitha institucionet që do të kenë nevojë.

Pranë ministrisë së Mbrojtjes do të fillojë punë qendra e inovacionit ku do të ketë kërkim shkencor në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Padyshim edhe në kuadrin e projektit tonë të ri të qendrës së informacionit shërbimi satelitor do të jetë një vlerë e shtuar. Shqipëria jonë digjitale po hyn në një fazë.