AKTUALITET, 29 Shtator 2023, 11:22

“Ai ishte vërtet i frikshëm”, rrëfimi i shoqes së 35-vjeçares shqiptare që u ekzekutua nga bashkëshorti në Itali

“Ai ishte vërtet i frikshëm”, rrëfimi i shoqes
Klodiana dhe Alfred Vefa

Klodiana Vefa, 35 vjeçe, u vra me plumb në kokë mbrëmjen e djeshme në provincën Casterlfiorentino të Firences në Itali.

I dyshuari kryesor për ngjarjen është ish-bashkëshorti i viktimës, Alfred Vefa, të cilin policia e ka shpallur në kërkim.

Në një prononcim për mediat lokale, shoqja e viktimës tha se bashkëshorti i Klodianës ishte një person i frikshëm, i cili ushtronte mbi të dhunë të fortë psikologjike.

“Ai ushtroi dhunë të fortë psikologjike. Ajo, gjithnjë e buzëqeshur, ndryshoi plotësisht kur ishte me të. Ai njeri ishte vërtet i frikshëm. Por ajo kurrë nuk e kishte denoncuar atë. Zgjati shumë. Nuk e di pse ra dakord për takimin e fundit. Këtë nuk duhet ta bënte kurrë. Ai kishte filluar një jetë të re”, tha shoqja.

Krimi ndodhi në rrugën via Galvani, pak pas orës 20:00 të mbrëmjes së të enjtes. 35-vjeçarja kishte mosmarrëveshje të vazhdueshme me burrin dhe ishin distancuar nga njëri tjetri kohët e fundit.