TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër Drejtues i Parë Ervin Hodaj, konferencë për shtyp në lidhje me punën hetimore të bërë për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura ditët e fundit dhe për angazhimin maksimal të strukturave të Policisë, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, në qarkun Shkodër.
Reagimi i drejtorit të policisë
Jam sot këtu, për të komunikuar me ju dhe nëpërmjet jush, me qytetarët, mbi punën e strukturave hetimore të DVP Shkodër, për zbardhjen e rrethanave, dokumentinim ligjor, identifikimin dhe kapjen e autorëve, në lidhje me disa ngjarje kriminale të ndodhura kohët e fundit, në qarkun Shkodër, por edhe për punën voluminoze të bërë nga Policia vendore, në drejtim të parandalimit dhe goditjes së paligjshmërive dhe fenomeneve kriminale.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër ka ngritur grupe të posaçme hetimore dhe në bashkëpunim me Prokurorinë vijon punën intensive hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të tyre.
-Si rezultat i angazhimit dhe reagimit të menjëhershëm të strukturave policore, është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes së ndodhur më datë 22.09.2023, në rrethinat e Shkodrës, në afërsi të një lokali në fshatin Hot i Ri, ku u vra me armë zjarri shtetasi Valter Fjerza.
Nga veprimet hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë, është bërë i mundur dokumentimi i kësaj ngjarjeje, për të cilën është arrestuar 1 shtetas dhe janë shpallur në kërkim 4 të tjerë.
-Për ngjarjen e ndodhur më datë 27.09.2023, rreth orës 18:20, në aksin rrugor Kir-mali i Shoshit, ku u vra me armë zjarri shtetasi Zef Guri, 73 vjeç dhe u plagos rëndë djali i tij, shtetasi Gj. G., të cilët po udhëtonin me një kamionçinë në drejtim të Shkodrës, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, kreu një sërë veprimesh në funksion të zbardhjes së ngjarjes. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se autor i kësaj ngjarjeje është shtetasi Gj. G., i cili është shpallur në kërkim nga DVP Shkodër edhe për vepra të tjera penale.
Motivet e kësaj ngjarjeje dyshohet të jenë konfliktet dhe kanosjet e vazhdueshme me palën e dëmtuar, për shkak të zaptimit dhe shfrytëzimit të hapësirave dhe sipërfaqeve pyjore në zonë.
Për kapjen e shtetasit Gj. G., janë angazhuar strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Reparti Special “RENEA” dhe Njësia Alpine. Aktualisht vijojnë kontrollet në zonat e thella të Dukagjinit.
-Ndërkohë, në Malësi të Madhe, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë, bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 27.09.2023, ku rreth orës 21:50, u plagos me armë zjarri shtetasi E.G., i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Falë reagimit në kohë të shërbimeve policore dhe veprimeve hetimore profesionale të kryera nga grupi hetimor, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorëve të dyshuar, shtetasve I. B. dhe S. B. (babë e bir), për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.
Në kuadër të parandalimit, mbrëmjen e djeshme, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës është bërë i mundur parandalimi i përshkallëzimit të mëtejshëm të një konflikti midis dy shtetasve. Si rezultat i reagimit në kohë të shërbimeve të Policisë u vu në pranga shtetasi A. L., 39 vjeç, i cili qëlloi me armë zjarri në drejtim të një automjeti të parkuar, në përdorim nga shtetasi E. P. Në momentin e arrestimit, 39-vjeçari ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë.
Grupet e posaçme hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet e thelluara për dokumentimin e plotë ligjor të këtyre ngjarjeve kriminale.
Pavarësisht këtyre ngjarjeve, dua të bëj me dije se përgjatë 9-mujorit të këtij viti ka një ulje domethënëse të veprave penale kundër personit, konkretisht:
Kanë ndodhur 5 vrasje në krahasim me 9 vrasje të ndodhura gjatë 9-mujorit të vitit 2022, si dhe 3 raste të vrasjeve të mbetura në tentativë, në krahasim me 10 vrasje të mbetura në tentativë gjatë 9-mujorit të vitit 2022.
Krahas punës për parandalimin e ngjarjeve kriminale, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër vijojnë megaoperacionin antikanabis “Alpe të pastra”, për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, për të cilin janë angazhuar qindra shërbime policore të DVP Shkodër, të FNSH-së dhe të Repartit Special “RENEA”, si dhe dhjetëra dronë të cilësisë së lartë.
Theksoj faktin se gjatë këtij viti, ky fenomen ka pësuar goditje sasiore dhe cilësore, jo vetëm nëpërmjet operacionit të koduar “Alpe të pastra”, por dhe nëpëmjet goditjeve që në gjenezë, në fazën e tentativës për kultivim të fidanëve në kubikë.
Falë këtij përkushtimi, deri tani janë gjetur dhe asgjësuar 196 742 bimë dhe fidanë kanabisi, 41 883 prej tyre fidanë në kubikë, duke i shkaktuar ekonomisë kriminale, një dëm prej miliona eurosh.
Janë referuar 132 raste kultivimi, me 71 autorë të proceduar penalisht. Aktualisht po vijon faza finale e kontrollit të territorit.
Në drejtim të zbatimit të masave të parashikuara në paketën e re të sigurisë në shkolla, nga komisariatet e Policisë në varësi të Drejtorisë Vendore janë marrë masa për të gjitha shkollat, në bashkëpunim me stafet pedagogjike dhe me oficerët e sigurisë, për vendosjen e perimetrit të sigurisë.
Vijon puna intensive, bazuar dhe në inteligjencën policore, për identifikimin dhe vënien në pranga të shtetasve që tentojnë të shpërndajnë lëndë narkotike në afërsi të shkollave. Një javë më parë është goditur një rast i tentativës për të shitur lëndë narkotike në perimetrin e sigurisë së një shkolle të mesme, nga një 21-vjeçar, i cili është vënë në pranga.
Gjithashtu, në drejtim të goditjes ndaj shpërndarjes së lëndëve narkotike, gjatë muajit shtator, shërbimet e Policisë kanë evidentuar dhe goditur 16 raste të kësaj veprimtarie kriminale, në territorin e qarkut Shkodër, duke synuar gjithmonë shpërndarësit afër institucioneve arsimore, në lokale ose në lagje të ndryshme.
Dua të siguroj qytetarët e qarkut Shkodër, se strukturat e Policisë që operojnë në këtë qark janëtë angazhuara maksimalisht për të parandaluar, evidentuar dhe goditur paligjshmëritë në cilëndo fushë që ato shfaqen. Në këtë kuadër dua të ftoj edhe njëherë qytetarët që të jenë në krah të Policisë, të besojnë te ajo dhe të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë, duke qenë se ata janë aleati ynë më i çmuar, pa besimin dhe mbështetjen e të cilëve puna jonë do të jetë përherë e cunguar.
Për të ndërtuar një ambient më të sigurtë nuk mjafton vetëm puna e Policisë, por janë të domosdoshme reagimi, bashkëpunimi dhe kontributi i qytetarëve që zbatojnë ligjin.