AKTUALITET, 23 Janar 2023, 21:39

A mund të hetohet Berisha për 21 Janarin? Avokati tregon skenarët: Dikush mund të kthehet në të penduar të drejtësisë!

A mund të hetohet Berisha për 21 Janarin? Avokati tregon

Avokati Dorian Matlija, ka qenë i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, ku ka folur për materialin e ri që është publikuar lidhur me ngjarjen e 21 Janarit, ku pretendohet se bëhet fjalë për një komunikim në radio mes ish komandatit të Gardës, Nrea Prendi dhe vartësve të tij, ku ai u thotë të bëhen gati për të hapur zjarr. 

Avokati është pyetur nëse ka mundësi që Sali Berisha të hetohet për vrasjet në 21 janar. Avokati tha se ka disa kushte kur Berisha mund të ishte objekt hetimi, por se kjo do të ishte gjithësesi e vështirë. 

"Sigurisht mund të hetohet Sali Berisha, por duhen indicie. Nëse materiali audio do të kishte lidhje me urdhër dhënie nga ministri. Nëse hapet dosja e Aleks Nikës dhe çohet përpara, identifikohet predha dhe ai person nën dritën e re të provave rrezikon burgimin e përjetshëm, mund ti ofrohet pozicioni i bashkëpunëtorit të drejtësisë.

I jepet identitet i rremë dhe nuk përfundon në burg. Kjo kërkon plotësimin e shumë kushteve. Të identifikohet predha. Të plotësohen kushtet ligjore. Ne dhe familjarët duam të zbardhet çështja", deklaroi Matlija. 

Avokati tha gjithashtu se, nëse ky material i publikuar nga Artan Hoxha, do të kishte qenë pjesë e gjykimit vite më parë, ajo mund të ndryshonte gjithçka. 

"Nëse ky material, të kishte dalë në kohën kur u bë gjyqi, do të cilësoheshin vrasje me dashje. Me kaq material, do të plotësohej një hallkë munguese në gjyq. Është thënë në gjyq që është qëlluar në ajër dhe ka patur vrasje nga pakujdesia. Këtu, forcohet ideja e vrasjes me dashje. Ka shumë elementë, por një provë e tillë do të nxirrte vrasje me dashje, vrasje në rrethana të cilësuara, që mund të sillte dënim deri në burgim të përjetshëm.

Në rastin e Aleks Nikës, meqenëse është ende nën hetim, ka ende kohë drejtësia ta hetojë. Në këtë rast mund të ndikojë edhe sot e kësaj dite. Rasti i Aleks Nikës ka një ngërç tjetër, identifikimi se nga ka dalë predha.

Kam thënë që me aq material, ai nuk i hap dot rrugë rigjykimit. Ai nuk flet për persona të tjerë. Ndërpritet aty ku del ministri në radio, madje nuk del ndërpritet. Kjo mungon. Ai që ka vendosur ta regjistrojë atë, duhet ta ketë regjistruar të gjithën. Është ndërprerë, ndoshta për ta lënë suspancën, do ta shohim në vijim.

Në momentin që flasim, me aq sa kemi, del që kemi Ndrea Prendin që urdhëron komandantët e njësive speciale, për të qëlluar edhe në trup. Kush janë personat e akuzuar për 21 janarin? Ndrea Prendi dhe Agim Llupo.

Faik Myrtaj është vërtetuar i vrarë nga Ndrea Prendi. Ziver Veizi është vërtetuar se është vrarë nga Agim Llupo.

Aleks Nika, për të nuk u shkua në gjykatë. Për Aleks Nikën, nuk u identifikua nga doli predha. Ishte predhë e shtrembëruar sa edhe FBI tha nuk e identifikojmë dot nga ka dalë. Prokuroria e la pezull derisa të gjente provë tjetër, që nuk e ka gjetur akoma.

Ndre Prendi dhe Agim Llupo janë dënuar. Këtyre nuk mund t’ua hapësh dot më çështjen sepse ligji thotë se një person i dënuar nuk mund të rigjykohet edhe nëse dalin prova të reja, nëse i rëndohet pozita.

Pjesë të tjera mund të hapen", deklaroi Matlija.