TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Osman Stafa, ish kreu i PD në Durrës dhe ish student i dhjetorit, teksa mori pjesë në aktivitetin në nderim të Azem Hajdarit për 8 dhjetorin e vitit 1990, theksoi nevojën e pastrimit të PD-së. Në fjalën e tij, ai tha se “nëse një pjesëtar i familjes lëviz në darkë dhe kthehet në mëngjes, ai nuk është më pjesë e familjes”.
“Doktor Berisha, në një fjalë para disa kohësh, tha se duhet të pastrojmë shtëpinë tonë. Shtëpia jonë është e vërtetë që ka nevojë për t’u ndryshuar doktor Berisha dhe pastruar. Këtë se bën dot një person i vetëm por të gjithë bashkë duke goditur në çdo drejtim.
Kujtoj një aspekt, ka qenë duke gdhirë data 10 dhjetor ‘90, më erdhi babai për një vizitë pas një interviste ku dilja hapur kundër diktaturës. Nëse do ta fitoni këtë betejë, ju keni fituar një luftë dhe burri është pjekur. Një burrë piqet kur kryen ushtrinë, një djaloj piqet kur i vdes babai në moshë të re. Ne disa faza i kemi kaluar, por jo çdo fazë ka treguar se e pjek burrin.
Ne kemi nevojë për më shumë mirëkuptim, tolerancë dhe për të qenë më të vendosur. Ka edhe një parim. Nëse një nga pjesëtarët e familjes në darkë lëviz dhe kthehet në mëngjes, ai nuk është më pjesë e familjes. Unë atë pjesëtar të familjes e pastroj. Ne kemi nevojë të pastrohemi doktor Berisha, duhet të jemi vetvetja. Shqiptarët shpresojnë dhe besojnë tek ne. “, tha ai.
Nga ky aktivitet, kryedemokrati shënjestroi qeverinë e kryeministrit Edi Rama, duke thënë se sot, 35 vite më vonë, vendi ndodhet në narko-diktaturë. Për Berishën, Rama bëri gjithçka që të zhdukte opozitarizmin dhe pluralizmin politik në vend, por nuk ia arriti.
"Ka vendosur në Shqipëri diktaturën autoritare, narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Evropë, armik i votës së lirë dhe skllav i pushtetit të krimit. Ka zëvendësuar zgjedhejt lira me farsën më të shëmtuar zgjedhore. Ndërtoi në Shqipëri narkoshtetin e parë. Kurrë ky komb s'ka pasur në krye një dyshe të tillë si Ramën dhe Ballukun, dy monstra të vjedhjes dhe grabitjes së pasurive. Ai sot është i pari kryeministri në historinë e Evropës që mbron publikisht vjedhjet e tij dhe të ministrave.", tha Berisha.
Berisha më tej shpreh bindjen se të rinjtë shqiptarë do të mund ta rrëzojnë Ramën.
"Duke iu uruar gëzuar këtë ditë, i bëj thirrje të rinjve të ngrihen të frymëzuar nga dita e lirisë dhe të përmbysim sa më parë këtë regjim narkodiktatorial që po shkatërron Shqipërinë. ", shtoi ai.