AKTUALITET, 23 Dhjetor 2024, 16:33

1400 forca policore në terren/ Mosbindja civile e opozitës, 5 pikat që priten të bllokohen nga protestuesit

1400 forca policore në terren/ Mosbindja civile e opozitës, 5 pikat

Partia Demokratike në kuadër të aksionit të mosbindjes civile zhvillon pasditen e sotme protestën e radhës, e cila do të shtrihet në 5 pika kyçe të kryeqytetit, me një skenar të ngjashëm me ato të zhvilluara deri më tani.

Risia e kësaj proteste është pjesëmarrja e kreut demokrat, Sali Berisha, i cili vetëm pak javë më parë fitoi lirinë, pasi GJKKO i hoqi masën e sigurisë “arrest shtëpie” pas 333 ditësh izolim.

Lidhur me protestën e opozitës në terren janë angazhuar 1400 forca policore, që do të jenë të shpërndara në 5 pikat ku protestuesit do të mblidhen.

Pikat ku do të protestohen janë: Bashkia e Tiranës, pallati me Shigjeta, Zogu i Zi, Ura te rruga e Elbasanit dhe sheshi Wilson. Këto segmente pritet të jenë të bllokuara nga ora 17:00 deri në orën 20:00. Kjo është protesta e 4 në kuadër të mosbindjes civile që zhvillon opozita prej muajit shtator.