AKTUALITET, 16 Gusht 2021, 22:30

Afganistani/ Joe Biden i prerë: Amerikanët nuk mund të vdesin, kur afganët nuk duan as vetë të luftojnë!

Afganistani/ Joe Biden i prerë: Amerikanët nuk mund të vdesin,

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka mbajtur një fjalim nga Shtëpia e Bardhë, lidhur me situatën kaotike që ka shkaktuar tërheqja e trupave amerikanë në Afganistan dhe pushtimin e vendit nga talebanët. Biden sqaroi edhe njëherë se misioni i SHBA-ve në Afganistan nuk ishte për të ndërtuar shtetin dhe demokracinë, por për të ndalur sulmet terroriste ndaj SHBA-së. Biden tha se ky mision ka mbaruar dhe se trupat amerikanë nuk duhet të luftojnë dhe të vdesin, kur një gjë të tillë nuk janë të gatshëm ta bëjnë as vetë afganët, duke i'u referuar faktit se ushtria afgane nuk luftoi dhe presidenti u largua menjëherë, duke e braktisur vendin dhe duke e lënë në duart e talebanëve. "Ushtarët amerikanë nuk mund dhe nuk duhet të luftojnë dhe të vdesin, në një luftë ku afganët nuk janë të gatshëm të luftojnë as vetë", tha Biden. Presidenti i SHBA-ve, shpjegoi gjithashtu se qeveria afgane nuk e pranoi këshillën e tij, për të negociuar një marrëveshje politike me talebanët. "Zoti Ghani insistoi se forcat afgane do të luftonin. Qartazi ai u gabua", deklaroi presidenti. Një nga aspektet më problematike që u evidentuan ditët e fundit, është mungesa e evakuuimit të shpejtë të personelit amerikan dhe të afganëve që bashkëpunuan me forcat e SHBA-ve dhe komunitetin ndërkombëtar. Biden tha se afganët nuk donin të largoheshin më herët.

"Unë i qëndroj me vendosmëri vendimit tim", tha Biden, ndërkohë që përmendi edhe faktin se për të Afganistani është një çështje mjaft personale.

Ditën e sotme, në aeroportin e Kabulit pati skena kaotike, ku mijëra afganë tentonin të largoheshin nga vendi. Gjatë përpjekjeve, dy persona raportohet se kanë vdekur, duke u rrëzuar nga krahët e një avioni amerikan, sapo ai u nis nga pista e tejmbushur e aeroportit.

Situata në Afganistan mbetet e trazuar dhe tashmë frika mbizotëron veçanërisht tek gratë dhe minoritetet, të cilat janë targeti i parë i ofensivës talebane.

Biden u shpreh se Amerika do të jetë pranë popullit afgan, duke ndihmuar ashtu siç bën "edhe me vendet e tjera të botës".

/TPZ.al/