AKTUALITET, 2 Korrik 2021, 11:09

38 urdhër arreste, si u zbulua rrjeti ndërkombëtar i trafikut të drogës, mes tyre prokurorë, drejtues policie dhe zyrtarë publik

38 urdhër arreste, si u zbulua rrjeti ndërkombëtar i trafikut


Një operacion anti-drogë është ndërmarrë në Shqipëri, Itali, Mal të Zi dhe Spanjë ku janë lëshuar 38 urdhër arreste dhe janë sekuestruar disa miliona euro pasuri.

Ky operacion është vazhdim i hetimeve të operacioneve “Shefi” e “Kulmi” ekzekutuar në 2018 e 2020 nga Drejtoria e Anti-mafies Italiane të Barit.

Urdhri i nënshkruar nga gjyqtari i Tribunalit të Posaçëm Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Tiranës u lëshua në dispozicion të Prokurorisë  Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Tiranës dhe Drejtorisë së Anti-mafias së Barit , në koordinim e Eurojust.

Gjithashtu arrestimet janë  kryer me ndihmën ndërkombëtare të zyrës Ndërlidhëse të Tiranës dhe Policisë Shqiptare, si pjesë e një Ekipi të Përbashkët Hetimor.

Ndërkohë gjatë hetimit janë ngritur edhe akuza për korrupsion, abuzim me detyrën dhe pastrim parash. Në mesin e të arrestuarve dhe të hetuarve janë edhe prokurori i Vlorës Maksim Sota, si dhe zyrtarë të tjerë të shtetit shqiptar.

Mësohet se ky hetim për trafik droge është nisur nga prokuroria për Krimet e Rënda në vitin 2018, edhe është hetuar nga një prokuror që aktualisht është pjesë e SPAK.

Ndaj Sotës është vendosur masë sigurie arrest në shtëpi nën dyshimet për korrupsion.

Në mesin e të arrestuarve janë edhe 5 zyrtarë të policisë së shtetit, duke nisur nga ish nëndrejtori i Policisë së Vlorës, një ish zyrtar i policisë së Fierit dhe zyrtarë në policinë e Tiranës.Nga 38 urdhër-arrestet, 28 të arrestuar nga SPAK në Shqipëri, 10 të arrestuar më herët.

Emrat:

Të arrestuar janë: Maksim Sota, prokuror në Vlorë; Ilirjan Balla, shefi i Seksionit Kundër Trafiqeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë; Festim Lelaj, ish-oficer policie; Saimir Kurti, drejtor i Zyrës së Punës në Kavajë. Ata janë lënë në arrest shtëpie.

Ilirjan Balla, lindur në Berat, më herë ka mbajtur detyrat e Zv.drejtorit për Hetimin e Krimeve dhe Sigurinë në Policinë e Dibrës dhe të Zv.drejtorit për Hetimin e Krimeve dhe Sigurinë në Policinë e Shkodrës.

Operacioni ndërkombëtar synonte të godiste përveç trafikantëve të drogës nga Shqipëria në brigjet e Pulias e përtej, edhe fenomenet e korrupsionit dhe të abuzimit me detyrën.

Lexo edhe:https://www.tpz.al/2021/07/02/operacioni-nderkombetar-kreu-i-spak-jep-detaje-28-masa-sigurimi-sot-prokurore-punonjes-policie-administratore-lokale-te-perfshire-4-bashkepunetore-te-drejtesise/

https://www.tpz.al/2021/07/02/operacioni-shpirti-mes-te-arrestuarve-dhe-ish-nenkomisari-i-policise-se-fierit-i-perfshire-ne-2017-ne-trafikun-e-2-5-ton-droge-nga-durresi-ne-ankona/