AKTUALITET, 4 Dhjetor 2019, 10:43

26 shkolla në vend të dëmtuar nga tërmeti/ “Emin Duraku” në ish-Bllok i vihet shiriti, pritet shembja e dy shkollave në Bubq dhe Thumanë

26 shkolla në vend të dëmtuar nga tërmeti/ “Emin


Pas tërmetit të rëndë të 26 nëntorit janë dëmtuar edhe godinat e disa shkollave në vend. Ministri Blendi Çuçi deklaroi se kanë pësuar dëme nga tërmeti 26 shkolla.

Ditën e sotme po bën inspektime në zonat e prekura nga tërmeti, ku janë konstatuar edhe shkollat të cilat duhet të shemben. Një ndër to është edhe shkolla e Përgjithshme ‘Selman Daci’ në Bubq pasi ka shumë dëme.

Ende nuk dihet se kur do nisë shembja e saj, ndërkohë që është njoftuar se nxënësit e kësaj shkolle do të transferohen në Fushë Krujë. Kjo shkollë ka 261 nxënës të cilët tashmë do të ndjekin mësimin në Fushë-Krujë.

Edhe shkolla “Ramazan Jangozi” në Thumanë do të shembet edhe pse u rikonstruktua këtë vit.

Po kështu shiriti i është vendosur edhe shkollën “Emin Duraku” në Tiranë, e cila ndodhet në zonën e ish-Bllokut, pasi ka pësuar dëme nga lëkundjet e forta të tërmetit. Instituti i Ndërtimit gjatë inspektimit që ka bërë shprehet se godina ka çarje muresh dhe nuk mund të jetë e banueshme pa bërë ndërhyrje në të. Ndërsa një ditë më parë u shemb edhe shkolla në Pezë.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, Bledi Çuçi bëri një rezyme për gjendjen pas tërmetit. Ai u shpreh se 12 mijë persona të prekur nga tërmeti janë tashmë të akomoduar, hotele, çadra, qendra sociale dhe palestra.

Sa i përket dëmeve materiale ai theksoi se në Tiranë janë 525 pallate në dëmtuara, dhe 3100 banesa.

Ndërsa në Durrës sipas tij 242 banesa janë të pabanueshme dhe 27 për t’u prishur. Ai theksoi se në kanë pësuar dëme 26 shkolla në vend.

Ministri u shpreh se deri më tani janë shembur 20 banesa në Durrës dhe Thumanë por ende vijon puna në terren.