Sali Berisha, gjatë “Foltores” në qytetin e Lezhës, ka deklaruar se në dosjen e Sekretarit të Shtetit Blinken, për shpalljen e tij non-grata, nuk ka prova dhe fakte. Berisha deklaroi, se një gjë të tillë i’a kanë thënë miqtë e tij.
Ai përsëriti edhe njëherë faktin se gjykata në Paris, e ka pranuar padinë për shpifje ndaj Blinken dhe bëri thirrje që Sekretari i Shtetit, t’i paraqesë provat, nëse i ka, në gjyq.
“Duan ta paraqesin Foltoren si një interes personal të Sali Berishës, të lidhur me vendimin e DASH për shpalljen time ‘non grata’. Absolutisht është e pavërtetë dhe ia faktoj cilitdo. Atë vendim, duke e pasur të qartë se është i bazuar vetëm në shpifje, Sali Berisha e mbajti kryekëput personal dhe iu drejtova gjykatës në Paris. Padita për shpifja zotërinë që firmosi vendimin. Kam kënaqësinë t’u them ju sot, që jo vetëm gjykatësi e ka pranuar shqyrtimin e padisë sime, por miq të mi më kanë njoftuar se ajo dosje ka zero fakte, zero dokumente, zero prova, ashtu siç u kam thënë unë ju. Megjithatë unë ftoj Sekretarin e Shtetit dhe çdo shtetar të atij vendi dhe mbarë botës, që çdo fakt apo dokument që do ketë, ta çojë në sallën e gjyqit në Paris,” theksoi Berisha.