BALLKAN, 17 Tetor 2021, 16:55

Mal i Zi/ Dritan Abazoviç dhe politikanë të tjerë marrin pjesë në Paradën e Krenarisë së komunitetit LGBT+

Mal i Zi/ Dritan Abazoviç dhe politikanë të tjerë marrin

Në Malin e Zi, është mbajtur Parada e Krenarisë, e komunitetit LGBT+.

Qytetarë, aktivistë, por edhe politikanë të lartë morën pjesë në marshimin e zhvilluar në Podgoricë, kryeqytetin e vendit.

Mes politikanëve të lartë, ishin edhe zëvendëskryeministri, Dritan Abazoviç, ministri i Jashtëm, Dordje Radulovic dhe ministri i Financave dhe Mirëqënies Sociale, Milojko Spajic.

Aktivistët bënë thirrje që qeveria të njësojë ligjin për unionet civile, të miratuar tashmë në këtë shtet, me pjesën tjetër të legjislacionit.

Martesa e parë civile, mes dy personave të së njëjtës gjini në Mal të Zi, u regjistrua në Budva, mes një çifti lesbikesh.

Mali i Zi është vendi i parë në Ballkan që ka njohur ligjërisht, unionet civile mes personave të së njëjtës gjini.

Një kërkesë e ngjashme është artikuluar nga aktivistët e të drejtave të njeriut në Shqipëri, të cilët kanë paralajmëruar se do t’ju drejtohen gjykatave për të siguruar këtë të drejtë.

Ndryshe nga Mali i Zi, në Shqipëri politikanët e lartë nuk preferojnë të marrin pjesë në paradën e Komunitetit LGBT+, por aty ka zakonisht prezencë të ambasadorëve të huaj dhe ndërkombëtarëve që mbështesin kauzën e këtij komuniteti.